Për kompaninë e karburanteve ‘Gulf’ e cila falimentoi, ka reaguar edhe Koço Kokëdhima, ish-deputeti i PS-së, aktualisht kryetari i Lëvizjes ‘Zgjidhja’. Kokëdhima thotë se pronarët e vërtetë të kompanisë fshihen pas guackave offshore përtej detit dhe asnjë zyrtar i qeverisë nuk ka marrë përgjegjësi. Ai akuzon qeverinë se është duke qeverisur njësoj si firmat piramidale të Sudes apo Shemsies.
“Kompania e tregtimit të naftës “Sun Petroleum Albania”, që shet markën “Gulf”, është “zhdukur” nga qarkullimi, duke lënë me gisht në gojë qindra individë dhe biznese që i kishin parablerë tollonat e naftës me çmim 30-40% më të lirë sesa tregu. Dëmi vlerësohet me miliona euro, jo vetëm nga tollonat e shitur, por edhe nga detyrimet ndaj furnitorëve, taksat e papaguara dhe faturat fiktive që ka lëshuar kjo kompani pak përpara se të dilte nga qarkullimi. Pronarët e vërtetë të kompanisë fshihen pas guackave offshore përtej detit. Asnjë zyrtar i qeverisë nuk ka marrë përgjegjësi. Rilindja, po qeveris si piramidë, si Sudja e Shemsia. Në fund do të falimentojë shtetin, do ta çojë vendin në kaos dhe do t’i lërë të gjithë me gisht në gojë, edhe monopolet që tani i pasuron në kurriz të të varfërve, taksapaguesve dhe të brezave që vijnë. Vetëm zyrtarët e partive të vjetra që grumbullojnë dhe nxjerrin nga vendi cash-in e korrupsionit, PPP-ve dhe hashashit do të mbeten në këmbë”, thuhet në reagimin e Kokëdhimës.