Home KRYESORE Kryemadhi: Nëse Basha dëshiron të jetë truprojë e Ramës, të vazhdojë…

Kryemadhi: Nëse Basha dëshiron të jetë truprojë e Ramës, të vazhdojë…

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, tha se opozita ka denoncuar, madje edhe lidhjet e krimit me politikën dhe në fund janë kërcënuar edhe deputetët e saj.

E pranishme në emisionin “Debati në Channel One”, Kryemadhi u shpreh se sot janë mbi 500 mijë shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria.

Kryemadhi tha se Edi Rama me provokimet që bën në sallën e Kuvendit meriton jo vetëm këpucën kokës, por ti hedhësh tavolinën.

“Rama meriton t’ia hedhësh tavolinën kokës, por ta dijë se nga provokimet që bën do e pësojë”, tha Kryetarja e LSI.

Kryetarja e LSI-së theksoi se nëse Lulzim Basha dëshiron të jetë truprojë e Edi Ramës, atëherë le të vazhdojë marrëveshjen e 17 Majit me Kryeministrin.

“Lulzim Basha ka metodologjinë e tij, holandeze, ne kemi metodologjinë mesdhetare, jemi më të drejtpërdrejtë”, tha Kryemadhi.

Sipas saj, reforma në drejtësi është një kamxhik në dorën e Edi Ramës për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve politikë.

“Nëse do të kishim reformë në drejtësi, atëherë e para që duhej të përballej me ndjekje penale duhet të ishte ministrja e Drejtësisë për ekstradimin e Nazer Seitajt. ONM skualifikoi një prej kandidatëve, ndërkohë që mazhoranca me dhunën e kartonëve e miratoi. Fatos Lulo, që shkarkohet pas vetingut, ka një motër që paguan 70 milionë euro taksa në vit sepse ka ndërtuar në zonat kryesore në Tiranë. Lulo ka qenë 20 vjet avokat, e dini ju para merrte Fatmir Xhafaj dhe Shegushe Ligori ku ishin në opozitë për një orë konsulence?”, tha Kryemadhi.

Share: