Përktheu: Elona Caslli
E dashur zonja Milena
shiu që kishte dy ditë dhe një natë që binte sapo pushoi, ndoshta vetëm përkohësisht, por sigurisht kjo është një ngjarje e denjë për t’u festuar dhe unë e festoj duke ju shkruar . Tek e fundit edhe shiu mund të durohet pasi në të vërtetë këtu jemi në një vend të huaj, një vend i huaj dhe i vogël ,por që i bën mirë zemrës. Edhe Ju nëse nuk gabohem (pasi nuk është e lehtë të kuptosh gjithçka vetëm me një takim të shkurtër, të veçuar dhe pothuajse të heshtur) duhet të jeni turbulluar për shkak të situatës në përgjithësi, por a Ju pëlqen ky vend i huaj kështu? (Dhe tek e fundit kjo gjë ndoshta nuk do të ishte shenjë e mirë, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta).
Këtu jetoj shumë mirë, një trup vdekatari nuk mund t’i durojë më shumë mjekime. Ballkoni i dhomës sime fundoset brenda një lulishteje, të rrethuar dhe të mbuluar nga shkurre të lulëzuara ( sa i çuditshëm është ky vegjetim, ndërkohë që moti në Pragë i ngrin pellgjet me ujë, përballë ballkonit tim çelin ngadalë lulet) dhe gjithçka është përballë diellit (ose të paktën përballë qiellit pa re, që prej një jave). Hardhuca dhe zogj, çifte jo të njëllojtë, më bëjnë vizitë. Ju uroj që të qëndroni në Merano. Kohët e fundit më shkruajtët se nuk merrnit dot frymë. Imazhi dhe kuptimi preken dhe këtu, qoftë njëri, qoftë tjetri mund të ngushëllohen disi.
Përshëndetje të përzemërta
I Juaji
F.Kafka