Në Kukës ka rinisur protesta për lirimin e të arrestuarve, ndaj të cilëve një ditë më parë gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për akuzat e shkatërrimit të pronës publike dhe kundërshtim të forcave të rendit.
Në Kukës ka rinisur protesta për lirimin e të arrestuarve, ndaj të cilëve një ditë më parë gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për akuzat e shkatërrimit të pronës publike dhe kundërshtim të forcave të rendit.
11 prej të arrestuarve nga 23 gjithsej u lanë në arrest me burg, ndërsa për të tjerët gjykata vendosi arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje.
Ndërkohë, komisioni organizativ i protestës së 31 marsit, i ngritur nga Këshilli Bashkiak i Kukësit shpreh vendosmërinë për vijimin e protestave deri në anulimin e plotë të tarifës në Rrugën e Kombit.
“Përshëndesim lirimin e një pjese të protestuesve të dnaluar nga policia dhe kërkojmë lirimin e personave të tjerë. Nga ana tjetër, nënvizojmë vendosmërinë tonë për të vazhduer lëvizjen paqësore deri në përmbushjen e qëllimit, heqjen e taksës në Rrugën e Kombit”, thuhet në një deklaratë për media të këtij komisioni.
Ndonëse, protestuesit e lënë në masën e sigurisë arrest me burg ndodhen në Tiranë, qytetarë të Kukësit kanë nisur protestën te komisariati, me të vetmen kërkesë atë të lirimit nga burgu, sepse, sipas tyre kërkesa për heqjen e tarifës prej 5 euro në Rrugën e Kombit është e drejtë.
Nuk dihet nëse masa e sigurisë është apeluar apo jo nga mbrojtësit ligjorë të të arrestuarve, por ajo që është e sigurt deri më tani ka të bëjë me protestën, e cila do të vijojë deri në lirimin e të gjithë të arrestuarve të lënë në masën e sigurisë arrest me burg.