Home KRYESORE Të fala nga Kukësi z. Rama! Nga Azem Parllaku

Të fala nga Kukësi z. Rama! Nga Azem Parllaku

I quajti barbarë, u tha që 5 euro nuk negociohen, i quajti vandalë dhe u mundua t’u mbushte mendjen me lloj-lloj formulash pagese, dhe në fund u tërhoq.

Dje, Edi Rama nga foltorja e Kuvendit ka kërkuar edhe njëherë ndjesë në lidhje me tarifën që është vendosur në rrugën e Kombit. Sipas tij kjo është një çështje që nuk ishte për të sjellë këtë situatë, por qeveria nuk ka pasur intuitën e duhur për të kuptuar perceptimin e banorëve.

Numri i një i qeverisë në fjalën e tij tha se nuk do të futet pagesa e rrugës për banorët, nëse nuk do të gjendet një zgjidhje optimale për të gjithë. Ndërsa la foltoren e Kuvendit, Edi Rama mendon se “Rruga e Kombit” është ende me pagesë dhe trembet nga tarifa e lartë, ndaj zgjedhi të bëjë apologji me anëtarët e partisë së tij në Kukës me anë të “Skype”.

Rama doli blof dje lidhur me komunikimin e tij në distancë me disa banorë të Kukësit për të negociuar për tarifën e Rrugës së Kombit. Dëgjesa që u shit nga kryeministri si bashkëbisedim me qytetarët kuksianë për të folur lidhur me problemet ekonomike të zonës dhe zgjidhjes së taksës së Rrugës së Kombit, rezultoi se u bë me punonjës të administratës në postet kyçe të saj në këtë qytet si dhe me persona me precente penalë.

Ngjarjet e ditëve të fundit që kulmuan me protestën për taksën në “Rrugën e Kombit” nxorën në dritë prej territ politik një uragan popullor që deri dje kishte frikë ose shitej politikisht te partitë tradicionale në vend, formacione politike që nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra pavarësisht nëse janë në opozitë ose qeveri. Aktivistë të lirë të pavarur nga askush, dhe qytetarë të Kukësit dhe atdhetarë të panumërt nga të gjithë trojet shqiptare po shprehin dëshirën t’a vazhdojnë këtë rrugë, jo për të rrëzuar një qeveri e për të sjellë një tjetër të ngjashme, por për t’u treguar atyre se shqiptarët më në fund po dalin nga prangat e nënshtrimit dhe kërkojnë të marrin në dorë fatet e atdheut dhe të vetes.

Revolta popullore e këtyre njerëzve është në opozitë me të gjitha partitë, është krejt e pavarur dhe nuk do stepet përballë asgjëje për të përmbushur më në fund dëshirën e kahershme për një Shqipëri si gjithë Europa. As apologjitë e fundit, as presioni dhe asnjë formë tjetër nuk e frenon dot përpjekjen për ta kthyer pushtetin në shërbëtor të shqiptarëve, dhe jo në tutor të tyre.

Dje dhe sot, opozitarët nuk po thërrasin për lirimin e kuksianëve të pafajshëm, as për heqjen e taksës antiklmbëtare. Por po negociohet për pallatet e Erjon Velisë tek diga e liqenit. Kukësi dhe kuksianët nuk mund të bëhen mish për top as për Bashën, as për Ramën, dhe as për Kryemadhin. Politika dhe partitë e vjetra, PD, PS, LSI, morën një të fala nga Kukësi, në një kohë kur Shqipëria po përjeton kohërat më të vështira në çdo drejtim të jetës, në ekonomi, punësim, art, shkencë, shkollë, kulturë, etj. Ishte forca e kuksianëve ajo që e sprapsi Edi Ramën dhe, mesa duket, është e vetmja gjuhë që mund t’i bëjë efekt një kryeministri në delir.

Reagimi mbarëpopullor dhe unifikimi në një zë i opionit publik, nga protesta që erdhi nga Kukësi e detyruan Ramën, të pranonte gabimin, që ai dhe qeveria e tij paskëshin bërë duke mos informuar e duke mos llogaritur si duhej pasojat e taksës së rrugës për banorët e qarkut më të varfër në vend. Protesta që erdhi nga Kukësi, dëshmoi se si, partitë e vjetra PD, PS, LSI, kanë shkatërruar, liritë politike, ekonomike dhe njerëzore në Shqipëri.

Share: