Home KRYESORE Vajzat shqiptare – nuse Shumadije! Nga Emin Azemi

Vajzat shqiptare – nuse Shumadije! Nga Emin Azemi

Skenat e filmave me zezak të lidhur që barteshin me anije nga njëri breg në tjetrin, i kishim menduar si prodhime fabulare të skenaristëve, mirëpo paskemi gabuar kur i kemi mbyllë sytë të shohim ngjarje reale përreth nesh, me protagonist-vajza, të cilat tani më nuk po aktrojnë por po thurin një pëlhurë të re, sigurisht ndonjërën që kishte harruar dikur Penelopa, me të cilën po mbulojnë vrazhdësinë e realitetit, por edhe të relievit të zymtë atje diku prapa shumë maleve e brigjeve ku po vazhdojnë të jetojnë dhe të përtërijnë vatrat e shuara serbe

Nga Emin AZEMI

Dhjetëra të rinj serbë për çdo muaj martohen me shqiptare të reja nga zonat veriore e qendrore të Shqipërisë. Për një nuse shqiptare paguhen 3 mijë e më shumë euro. Në zona të thella malore të Shumadisë të rinjtë serbë kanë vuajtur për martesa, mirëpo tani këtë problem ata nuk e kanë. Mjafton të blihet një fjalor serbisht-shqip, pastaj të ndiqen faqet e gazetave me shpallje dhe saora vendoset kontakti me ndërmjetësuesin. Nuset nga Shqipëria gjenden lehtë dhe ato i kanë çmimet e tyre, kurse tarifat i vendosin ndërmjetësuesit, të cilët një pjesë të lekëve e marrin për vete. Jo rrallë ndodhë që dhëndurët serbë, të moshave mbi 40 vjeçare shkojnë në Shqipëri dhe pasi të njoftohen me familjarët e nuses 18 vjeçe, nuk kthehen zbrazët. Shqiptarët janë mikëpritësa bujarë dhe të presin me “me bukë e kripë e nuse”, por edhe kur të përcjellin ta ka ënda ti shohësh.

Krushku e sajdis dhëndrin me nusen, ia bën gati me të gjitha nishanet dhe nën ritmin e “uzhiçko kolo” e përcjellë deri në krye të katundit a lagjes, ndërkohë që dikush nga gratë e kojshillakut i uron bijës së tyre që t’iu kthehet me këmbë të mbarë dhe mundësisht me një djalë në krah. Nusja e blerë teksa shkon në shtëpinë që i ngjan një ahuri bagëtish për mediat serbe shprehet e lumtur në familjen e burrit, sepse aty gjen nja dy pleq të kërrusur, që mezi presin rroktarllëkun e shqiptares, kurse pak më tej i dhuron mirëseardhje një tufë derrash, që po bëhej gati të hipë mbi grumbullin e plehut në mes të oborrit.

Lume Miliçeviq është shqiptarja e ve, të cilës burri i kishte vdekur disa vite më parë, mirëpo ajo kishte vendosur të mbetet në Serbi. Ajo njihet si shkuese apo ndërmjetësuese për martesat.

Lumja vazhdimisht organizon udhëtime dhe vizita të të rinjve serbë nga zonat rurale serbe drejt Shqipërisë, ku atje ajo grumbullon vajza dhe familje të interesuara për martesa.

Më pas ndërmjetësuesja organizon edhe vizitën e prindërve të vajzave në Serbi, për të parë se ku do të jetonin vajzat e tyre. Vetëm në zonën e Rashkës, Peshterit, Golijas, Javorit dhe Jadovikut janë martuar mbi 150 shqiptare me serbë dhe ato deri tani kanë krijuar familjet e tyre me shumë fëmijë. “Veçernje Novosti” shkruan se numri i martesave të reja me nuse shqiptare po shkon duke u rritur, ndërkaq organizata “Rashka e Vjetër” organizon dhe ndërmjetëson falas për martesa udhëtimet e serbëve në Shqipëri. Kjo organizatë bën të ditur se nuk bëhet fjalë për ndonjë biznes, por vetëm për aktivitet human për mosboshatisjen e fshatrave serbe. Sipas tyre, deri tani ajo ka bërë 300 martesa midis serbëve dhe shqiptareve.

Shtypi serbe njofton se në Shkodër ekziston agjencia e cila ndërmjetëson për martesat dhe serbët paguajnë mbi 3-4 mijë euro për një nuse shqiptare. ”Po i ringjallim fshatrat. Në një fshat Buxhevo, 10 nuse shqiptare kanë lindur deri tash 12 fëmijë dhe është hapur shkolla sërish”, theksoi një fshatar serb për “Veçernje Novosti” të Beogradit.

Të gjitha informacionet për shitjen e vajzave shqiptare në viset e harruara të Serbisë mund t’i gjesh në gazetat serbe. Mediave prestigjioze dhe investiguese të Tiranës nuk iu bëjnë përshtypje këto maskarallëqe që iu ndodhin par hundëve të tyre. Atyre nuk iu bën përshtypje kjo skllavëri e poshtër qeniesh të gjalla që bëhet pa u regjistruar madje as nga ndonjë shoqatë që mbron dinjitetin dhe liritë e njeriut. I keni parë studiot televizive të Tiranës dhe analistët e gjithologjisë se si ua bajnë gajlen LGBTI-istave, por edhe marrëdhënieve të tendosura SHBA-Kore e Veriut, pa harruar ndikimin e ngrohjes globale në tredhjen e minjve, paçka se temat si kjo e shitjes së vajzave shqiptare për besheratat serbë, ende konsiderohen si anakoronizëm, kurse gjithë ata që kanë kurajën të flasin për gjëra të tilla shpallen ose folkloristë ose patetikë të vonuar, pa harruar madje të të fusin edhe etiketën “antiserb”.

Ky pazar i pistë skllavo-pronar që po ndodhë para syve tanë, nuk do të kishte rentabilitetin vet, sikur të mos kishte mbështetje oportunitetin publik dhe mosreagimin e shtetit. Skenat e filmave me zezak të lidhur që barteshin me anije nga njëri breg në tjetrin, i kishim menduar si prodhime fabulare të skenaristëve, mirëpo paskemi gabuar kur i kemi mbyllë sytë të shohim ngjarje reale përreth nesh, me protagonist-vajza, të cilat tani më nuk po aktrojnë por po thurin një pëlhurë të re, sigurisht ndonjërën që kishte harruar dikur Penelopa, me të cilën po mbulojnë vrazhdësinë e realitetit, por edhe të relievit të zymtë atje diku prapa shumë maleve e brigjeve ku po vazhdojnë të jetojnë dhe të përtërijnë vatrat e shuara serbe. (koha.mk)

Share: