Home KRYESORE Zjarr… Nga Adam Zagajewski

Zjarr… Nga Adam Zagajewski

Përktheu: Elona Caslli

Ndoshta unë jam një besimtar i rëndomtë i shtresës së mesme,
që beson ende tek të drejtat e njeriut.
Fjala “liri” është e thjeshtë për mua dhe nuk nënkupton
lirinë e një shtrese të caktuar.
Naiv nga pikëpamja politike, me një arsimim mesatar
(ushqimi i vetëm janë ca çaste kthjellimi që nuk zgjasin shumë)
më kujtohet thirrja e ndezur e atij zjarri
që përzhit buzët e etura të turmës dhe djeg libra
dhe shkrumbëzon lëkurën e qytetit.
Dikur i këndoja këto këngë
dhe e dija sa bukur ishte të vrapoje me të tjerët.
Më vonë, kur ndodhesha krejt vetëm,
me shijen e hirit në gojë,
dëgjova zërin ironik të gënjeshtrës
dhe korin që ulëriste.
Kur preka kokën, ndjeva kafkën rrumbullake të vendit tim
dhe anët e forta  të saj.

Share: