Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar në faqen e tij një meme, e cila të le të kuptosh se PD-së audio-përgjimin e vëllait të Fatmir Xhafës ia ka servirur pikërisht Saimir Tahiri. ‘Kali im i dashur, i dogji Xhafës dosja e Gonit. S’ka parë gjë akoma…”, thuhet në këtë meme e bërë virale në rrjet. Pra, në një farë mënyre Berisha thotë se Tahiri është ai që ka nxjerr dosjen me përgjime të Agron Xhafës.
Një ditë më parë në emisionin ‘Studio e Hapur’, Berisha refuzoi të tregonte se kush e kishte kryer përgjimin, duke u justifikuar se nëse e bënte publike mund të vinte në rrezik jetë njerëzish, pra të personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Postimi i tij i fundit në Facebook drejton gishtin te Saimir Tahiri, si personi që kërkon të rrënojë Fatmir Xhafën. Por kjo është një hipotezë, pasi vetë Berisha mund të jetë duke bërë diversion te maxhoranca. Prokuroria ka thirrur tre zyrtarët e PD-së, Salianji, Alibeaj dhe Bardhi për të dëshmuar nesër mbi përgjimin që ata denoncuan publikisht.