Home KRYESORE Emigranti kthehet në hero, i shpëtoi jetën fëmijës që varej nga ballkoni

Emigranti kthehet në hero, i shpëtoi jetën fëmijës që varej nga ballkoni

Një emigrant nga Mali është shndërruar në hero pasi në mënyrë spektakolare i shpëtoi jetën një fëmije që po binte nga ballkoni i katit të katërt të shtëpisë së tij, në Francë.

Video e Mamoudou Gassamas u shpërnda viralisht në rrjetet sociale. 22-vjeçarit iu deshën më pak se një minutë për të arritur në katin e katërt duke u kacavjerrë nga një ballkon në tjetrin, ndërkohë që fqinjët përpiqeshin ta mbanin fëmijën.

Veprimi i emigrantit është vlerësuar lart edhe nga liderët politikë. Presidenti Emmanuel Macron po takon aktualisht Gassaman në Pallatin Elysee.

Falënderime për “Spidermanin e 18-të”, referuar distriktit të Parisit në të cilin ndodhi ngjarja, kishte edhe kryebashkiakia e kryeqytetit francez, Anne Hidalgo. Ajo tha se i riu kishte mbërritur n Francë pak muaj më parë nga Mali dhe ëndërronte ta ndërtonte jetën e tij në Europë.

Gassama tha se ishte duke kaluar pranë pallatit ku ndodhi ngjarja pasditen e së shtunës kur pa shumë njerëz të mbledhur para ndërtesës.

Zjarrfikëset e Parisit thanë se në momentin që ata kishin mbërritur në vendngjarje djali ishte shpëtuar. “Fatmirësisht, gjendej dikush i aftë fizikisht dhe që kishte guximin të ngjitej dhe ta kapte fëmijën”, tha zëdhënësi i zjarrfikësve për “AFP”.

Sipas mediave franceze që cituan autoritetet lokale, prindërit e fëmijës nuk ishin në shtëpi në momentin që djali i tyre pothuajse rrezikoi jetë duke rënë nga ballkoni.

Share: