4 vjet e 8 muaj burg do të vuajë 55 vjeçari nga Velçani i Pogradecit që përdhunoi dhe la shtatzënë fqinjën e tij të mitur.
Ai përfitoi ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar ndërsa analiza e AND-së së foshnjës së ardhur në jetë e detyroi të pranojë fajësinë. Në seancën ku mësoi dënimin 55 vjeçari i kërkoi ndjesë familjes fqinje dhe familjes së tij.
Ngjarja u denoncua publikisht në tetor të vitit 2017 dhe Biba përfundoi në pranga.
Prokuroria e Korçës kishte kërkuar 8 vjet burg për Bibën, i cili fillimisht mohoi akuzat, por analizat e ADN-së provuan atësinë e foshnjës së ardhur në jetë, ndaj ai ndërroi dëshminë në gjykatë duke pranuar fajësinë, por sërish ngulmoi se nuk bëhej fjalë për përdhunim.
“E pranoj fajësinë. Kam qenë në kasolle ditën kur vajza më ka ardhur në mëngjes. Isha i dehur dhe nuk kam bërë asgjë me dijeni. Marrëdhënia ka qenë me dëshirën e vajzës. Nuk e kam përdhunuar. Nuk e dija që vajza kishte mbetur shtatzënë. Jam bërë pishman. Nuk mbaj mend sepse kam qenë i dehur. I kërkoj falje familjes së vajzës dhe familjes time”, tha ai, raporton “Ora”.
Pas shqyrtimit të çështjes gjykata e Korçës e dënoi 55 vjeçarin Biba me 7 vjet burg, por ai përfitoi ulje 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Dhe përfundimisht do të vuajë 4 vjet e tetë muaj burg.
15 vjeçarja e abuzuar e ka lënë fëmijën e ardhur në jetë në shtëpinë e foshnjës në Tiranë, ndërsa gjatë muajve të procesit gjyqësor ndaj 55 vjeçarit familja e saj në fshatin e Pogradecit ka denoncuar shpesh herë në media, presione të pretenduara nga ana e familjes së Ligor Bibës./Lapsi.al