Kreu i shkarkuar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cili ishte gjithashtu dhe në krye të hetimeve për dosjen ‘Tahiri-Habilaj’, ka bërë reagimin e parë që pas vendimit të Arta Markut.
I pyetur nga BIRN, Hajdarmataj tha se nuk kishte ndonjë informacion më konkret mbi shkaqet e shkarkimit, por theksoi se çështja më e rëndësishme që kishte deri para shkarkimit në duar ishte ajo e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas Hajdarmatajt, shkarkimi nga posti i kreut të prokurorisë nuk sjell automatikisht heqjen e dosjes së Tahirit nga përgjegjësia e tij.
“Motivacioni nuk ishte shumë i qartë por besoj se kishte të bënte me dhënien e një hovi të ri apo impulsi më të madh të punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ishte një urdhër që më shkarkonte mua nga ana e drejtimit të prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhe në zbatim të tij, tani i bie që unë jam një prokuror i thjeshtë në këtë prokurori,” tha Hajdarmataj.
Pyetur se me çfarë mund të lidhet shkarkimi i tij në këtë kohë, Hajdarmataj tha:
“Unë nuk di të them se me çfarë ka lidhje ky shkarkim por mund t’ju them se unë e vetmja dosje që unë jam përfshirë drejtë për së drejti, nga një sërë hetimesh që tashmë janë të hapura nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është ajo e dosjes ish-ministrit të Brendshëm, Sajmiri Tahiri.
Unë tani jam prokurori i thjeshtë dhe normalisht do të vazhdoj punën time me dosjet për të cilat jam i ngarkuar të hetoj, deri në momentin që mund të ketë ndonjë urdhër tjetër për transferimin apo komandimin tim në ndonjë institucion tjetër,” shtoi ai./Opinion.al