I pyetur për letrën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla drejtuar Senatit Amerikan se ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu i kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës, vetë Presidenti i Republikës tregohet i rezervuar të bëjë komente. Në një intervistë në “Faxnews”, Meta thotë se nuk flet për takime ku nuk ka qenë prezent.
“Unë nuk dëshiroj të merrem me letra dhe as me diskutime për të cilat nuk kam qenë asnjëherë prezent. Ambasadori ka dhënë një përgjigje publike dhe zyrtare për këtë çështje, ashtu sikurse ambasadori edhe publikisht pas kalimit të reformës në drejtësi me konsensus në Parlament ka vlerësuar rolin tim për arritjen e kë tij konsensusi, i cili theksoj është përcaktues për rekomandimin pozitiv edhe për hapjen e negociatave me BE-në, sepse ka qenë një kusht prej kohësh dhe çdo vonesë, në drejtim të çeljes së negociatave ka pasur të bëjë me rezultatet e zbatimit të reformës”.
Pyetjes nëse i ka kërkuar shpjegime Ambasadorit Lu në takimin e fundit, Meta i përgjigjet: “Nuk ka pasur asnjë arsye për të kërkuar shpjegime. Qëndrimi i tij ka qenë i qartë. Kemi diskutuar për çështje të tjera të bashkëpunimit tonë”.
Por përse Meta mban dëshmitarë në takimet me ambasadorin Lu. Këtë e ka pranuar vetë më herët, ndërsa pas takimit që patën në zyrën e kreut të shtetit pas publikimit të letrës së Llallës, Meta jep një tjetër përgjigje.
“Këto janë gjëra fare normale, marrëdhëniet tona janë institucionale dhe të qëndrueshme, të cilat do të vazhdojnë edhe kur unë të mos jem më President i Shqipërisë, edhe kur z. Lu të mos jetë Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, duke ju referuar këtu edhe pozitave të mëparshme. Kjo është një gjë tepër normale kur bëhet fjala për një partneritet strategjik midis dy vendeve dhe komunikimeve sidomos në rrugë institucionale” – thotë Meta.
A ka frikë Ilir Meta nga arrestimi?
“Unë këto historitë me arrestime i kam dëgjuar që në gusht të vitit 1993, kur ndodhi një rebelim në qytetin e Poliçanit, deputet i të cilit isha edhe nuk habitem për faktin që arrestimi është pjesë e retorikës sonë edhe politike, edhe institucionale dhe është tregues i një politike me paranoja” – thotë Meta. ©LAPSI.al