Home KRYESORE Në ditëlindjen e munguar të babait! Nga Irma Kurti

Në ditëlindjen e munguar të babait! Nga Irma Kurti

Sikur të kishe pritur dhe dy javë baba ne do të kishim festuar ditëlindjen tënde së bashku, sot në 6 maj. Sikur të të kisha pranë do të të mbuloja me fjalë dashurie, do të bëhesha pjesë e përqafimit tënd e do të mbetesha e strehuar aty, përjetë. Ai përqafim më mbronte nga egërsia dhe hipokrizia e botës, ai më mbronte nga dobësitë, nga lotët e mi.

Sa herë që vija tek ti, kur binte borë apo shi apo atëhere kur qielli im ishte gri, ti më merrje në përqafimin tënd dhe tek unë lindte dielli.

Kishim menduar të të blinim një tortë me çokollatë sot, të vendosnim mbi të qirinjtë. Do të ishte një ditë e gëzuar, e lumtur; mosha jote – një tjetër arritje e rëndësishme e jotja. Do të të thoja: “Gëzuar e faleminderit që më shoqërove deri tani, që më dhe forcë e pozitivitet dhe në kushtet e vështira të ekzistencës tënde!”.

Por ti vendose të ikësh, pa zhurmë, i heshtur, ashtu siç ishte bërë prania jote vitet e fundit. Ne të dy s’mund të flisnim gjatë si dikur, nuk mund të ndanim bisedat për librat, për politikën, për zhgënjimet, për botën e korruptuar, por mund të ndanim atë, dashurinë.

Në këtë qytet të huaj më ke falë aq shumë gëzim e dashuri, sa nuk më ke dhënë kurrë më parë. Sa më shumë sëmundja përpiqej të të largonte nga unë, aq më tepër ne i afroheshim njeri – tjetrit.

Cili ishte sekreti? Ndjenja, nevoja për të mbijetuar? Si dy pemë që mbështeten tek njera tjetra për t’i rezistuar stuhive?

Dita ime ishte e ndërtuar rreth teje, rrija me ty disa orë ose më tepër. Kur më shikoje nga larg më buzëqeshje. Atëhere jeta për mua nuk ishte ajo që sillte vuajtje, sëmundje, pakënaqësi dhe varfëri. Jeta për mua ishte një vend më i mirë, pikërisht sepse ekzistojnë dashuri të tilla të mëdha që mund të maten vetëm me qiellin.

Sa ftohtësi ka në këtë qytet në veri të Italisë, baba! Kjo ma shton boshllëkun tani që ti s’je më. Dita më duket sikur s’më përket. Sapo hap sytë në mëngjes pyes veten: “Si do ta kaloj ose si do ta mbush ditën pa ty?”.

Sa ngushëllime të shtirura kam marrë këto ditë! Sa njerëz më kanë thënë: “condoglianze”(ngushëllime) me buzën në gaz, me siguri duke menduar takimin e afërt me të dashurin ose vajtjen në diskotekë! Sa të tjerë e hidhnin në ajër këtë fjalë duke u larguar me nxitim, a thua trishtimi im do t’u ngjitej si zamkë dhe do t’i dëshpëronte?

Ti buzëqeshje mes vuajtjeve, duke më mësuar se jeta është më e bukur kur shkëlqen pas pikave të lotit. Isha krenare në çdo çast për bukurinë tënde fizike dhe shpirtërore, si atëhere, fëmijë, kur u thoja njerëzve: “Jam vajza e doktor Hasanit!”.

Përpara trupit tënd të pajetë njoha edhe njerëz të vërtetë, ata që të qëndruan pranë në këtë periudhë të gjatë, që të mjekuan dhe u kujdesën për ty, atë që derdhën lot të kthjellët ashtu si unë. Sepse ti deri ditën e fundit ishe i edukuar, ti dije të përshëndetje, të buzëqeshje, të trasmetoje mirësi. Si pakkush.

Sikur të kishe pritur dhe dy javë baba ne do të kishim festuar ditëlindjen tënde së bashku, sot në 6 maj. Por ti nuk je më dhe dita sot, megjithëse e ngrohtë dhe me diell i ngjan një pike loti. Ti s’do të doje kurrë të më shikoje të qaja, por e dije mirë që shpirti im është i ndërtuar prej ëndrrash, iluzionesh, prej një materie aq delikate që thërrmohet përballë çfarëdo dhimbjeje e jo më kur bëhet fjalë për një të përmasave të tilla.

Rrugë të mbarë në udhëtimin tënd qiellor, baba!

Share: