Home KRYESORE Nga futbollist i famshën në “pjatalarës”, jeta në Amerikë e gulenistit “shqiptar”

Nga futbollist i famshën në “pjatalarës”, jeta në Amerikë e gulenistit “shqiptar”

Ekziston një bar-kafe në “Palo Alto” në Kaliforni, ku një burrë i gjatë dhe me një fytyrë familjare, vetëm pak më i madh se të dyzetat, përshëndet këdo që hyn, u tregon menynë, grumbullon pjatat dhe gotat e braktisura në tavolinë dhe nëse duhet, lan edhe pjatat. Shumë pak në “Palo Alto” e kanë një ide se kush është ai.

Dhe ndoshta, edhe ata që futbollin e kanë si ushqimin e çdo dite, do të kishin vështirësi që ta njihnin një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit të viteve të fundit. Po flasim për turkun me gjak shqiptar (origjinë kosovare), Hakan Shukur… URREJTJA ME ERDOGANIN Por çfarë bën kampioni turk në “Tuts Bakery and Cafe” në “Palo Alto”? Përse menaxhon një lokal dhe u shërben klientëve në tavolina, ndërsa nuk ka mundësinë që të bëjë komentatorin sportiv si shumë prej ishkolegëve të njohur të epokës së tij?! Shukur, i cili që nga vitet ’90 e deri në fillimet e 2000-shit bëri të madh ekipin e Gallatasarajit dhe i dhuroi Turqisë vendin e tretë në Botërorin koreano-japonez (përveçse veshi në Itali edhe fanellat e Torinos, Interit e Parmës), është detyruar të braktisë vendlindjen e tij për bindjet ose më saktë për mosbindjet politike, pikërisht siç është rrëfyer në një intervistë për “New York Times”, e para që prej shkeljes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2015.

Qeveria e Presidentit Erdogan ka lëshuar një urdhërarresti për të, babai i përfundoi në burg për afro një vit, të gjitha kursimet e tij, prona, përfshi edhe llogaritë bankare u sekuestruan nga regjimi turk. Dhe ta mendosh se kur vendosi që të niste karrierën politike, në vitin 2011, ai ishte pjesë e partisë së Erdoganit. Fama që kishte e ndihmoi me lehtësi të siguronte një vend në Parlament, por lufta që presidenti aktual i Turqisë ndërmori ndaj Gulenit, ndjekës besnik i të cilit ishte Hakan Shukuri, e detyroi ish-sulmuesin e Gallatasarajit dhe Kombëtares turke që të jepte dorëheqjen.

“Nga ai moment, për çdo veprim që bëja më lindnin probleme administrative dhe stërkëmbësha të të gjitha natyrave”, rrëfen ai. Erdogani nuk e toleronte kurrsesi kundërshtimin dhe opozitarizmin e tij, edhe pse Shukur e dinte mirë se nëse do të ishte sjellë ndryshe, “Do të kisha pasur një jetë të bukur. Nëse do të kisha thënë me gojën time gjithçka ata dëshironin, do të isha bërë ministër. Dhe ndërkohë tani shes kafe, por të paktën në këtë mënyrë nuk kam humbur të gjithë respektin që kam për personin tim”.

NË KËRKIM TË LIRISË

Në përpjekje për të rifituar lirinë, në vitin 2015 ai u bëri vizitë disa miqve që ishin zhvendosur në Kaliforni, duke marrë me vete edhe bashkëshorten dhe tre fëmijët. “Moti është fantastik, jeta këtu më pëlqen, është e bukur, por mbi të gjitha dua që fëmijët e mi të jenë të lirë, dua që të jenë persona të pavarur. Dua që ata të mund të vizitojnë vende të tjera, të mësojnë nga kulturat e ndryshme, të takohen me njerëz të ndryshëm nga ata dhe sigurisht të maturohen si individë. Kur pamë që gjërat në Turqi nisën të shkonin keq, menduam se kishte ardhur momenti i duhur”. Hakan Shukur, faktikisht nuk ishte në vend dhe as arkitekt i grushtit të shtetit të dështuar ndaj Erdoganit në vitin 2016, por pikërisht për shkak të lidhjeve të tij me Gulenin, edhe ish-futbollisti i Interit u dyshua se kishte marrë pjesë. “Turqia mbetet kombi im. E dashuroj popullin tim, edhe pse ideja që kanë krijuar tashmë për mua është e shtrembëruar, për shkak të kushtëzimit mediatik. Gjithsesi, nuk do të jetë gjithmonë errësirë sepse unë besoj se një ditë do të shohim sërish dritë dhe ndoshta një ditë edhe ne do të kthehemi sërish atje për të përqafuar edhe prindërit e mi, të cilët tashmë i përshëndes dhe i shoh vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale”./Opinion.al

Share: