Nga Spartak Ngjela
Vetingu, është kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Po, a ka sot një qeveri shqiptare të nivelit perëndimor?
Asnjëherë nuk ka pasur një qeveri europiane në Shqipëri. Deri tani koha nuk iu ka dhënë shqiptarëve mundësi të kenë një qeveri të nivelit të lartë.
Por, ka edhe diçka: pa një pushtet gjyqësorë të drejtë dhe të pavarur; një vend kurrë nuk mund të ketë një qeveri me nivel të lartë profesional dhe ideor.
l.
Qeveria shqiptare sot është një instrument që nuk ka lidhje fare me zhvillimin; dhe në fakt kështu ka qënë gjithmonë. Pa asnjë skemë dhe jashtë kërkesës substanciale të tregut, kanë punuar të gjitha qeveritë shqiptare në 100 vjet. Dhe fqinjët tanë janë tallur me to.
Kjo e sotmja, si gjithë të tjerat, është një qeveri që vetëm kërkon para për mbijetesën e vet të pushtetit , dhe shkatërron tregun me klientelën e vet. Nuk di ta ingranojë tregun shqiptar në rrafsh ndërkombëtar, dhe nuk nxit dot fare prodhimin me anë të kapitalit shqiptar.
Qeveria Rama është sllavë e tregtisë parazite dhe shkatërruese e investimit shqiptar.
Nuk kupton dot asgjë; në një kohë që Shqipëria po vdes nga varfëria.
Varfëria shqiptare është pjellë e injorancave qeveritare.
ll.
Pyetja e drejtpërdrejtë që ngrihet këtu është kjo: çfarë përfaqëson kryeministri që drejton asministrativisht sot Shqipërinë?
Asgjë. Ky është një individ që, pasi gënjeu Ilir Metën me përrallë; mori të drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Pasi manipuloi dy herë zgjedhjet me skemën e heqjes së zgjedhësve të Partisë Demokratike nga listat zgjedhore, dhe pasi bleu dhe Saliun, shkatërroi Tiranën në një rrugë klienteliste. Më pas, me korrupsion dhe leje ndërtimi bleu krizën e Partisë Socialiste dhe u bë kryetar i saj.
Ky sot nuk di të bëjë asgjë se ka nivel të ulët intelektual dhe çrregullime mendore që e shtyjnë drejt një pushteti absolut, duke ecur midis frikës dhe delirit. Individi që mposht me delir frikën patologjike që i vjen nga deviacioni psikik; si rregull, shkatërron gjithçka që i del përpara.
Ky është kryeministri Rama sot.
Dhe, në funksion të pushtetit të tij patologjik, kjo është edhe qeveri a e tij.
Në një qeveri të tillë që paraqet sot maxhoranca e cila po qeveris vendin, vijnë dhe përplasen realisht dy aspekte: kriza ekonomike shumë e thellë dhe kriza morale e drejtësisë.
Në këtë situatë mendimi racional i daljes nga kjo krizë, nuk është ndërrimi i qeverisë, por shkatërrimi i pushtetit gjyqësor në funksion të ngritjes së drejtësisë.
E gjithë situata korruptive shqiptare është pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit qeveritar. Një qeveri ë korruptuar është ngaherë vepër direkte e një pushteti gjyqësor të korruptuar.
Pa një drejtësi të konsoliduar dhe të pavaruar nuk ka as zgjedhje të lira, sa treg të lirë, as demokraci dhe as mirëqënie në një vend.
Kurse, vetëm me funksionimin e drejtësisë, vetëm atëherë, shqiptarët më në fund do të çlirohen për të pasur një qeveri perëndimore me ngritje profesionale dhe me moralitetin që vjen nga realizimi i drejtësisë shoqërore.
E tillë është në fakt Reforma në Drejtësi që po kërkohet nga politika amerikane dhe politika gjermane sot në Shqipëri.
lll.
Kjo është edhe arsyeja që gjithçka në reformën shqiptare ka nisur nga eliminimi ose heqja nga skena e një pushteti gjyqësor të korruptuar. Por kjo është edhe arsyeja, që ka ë krijuar sot bashkimin e korrupsionit të lartë politik dhe shtetëror në Shqipëri.
Gjithçka politike është hedhur sot në mbrojtje të pushtetit gjyqësor të korruptuar në Shqipëri që mban ende gjallë korrupsionin.
Janë dy korrupsione që kanë qenë në aleancë të gjatë, ata që kanë sjellë gjendjen e padurueshme shoqërore në Shqipëri: korrupsioni qeveritar që është një korrupsion kryeministror; dhe korrupsioni i pushtetit gjyqësor.
Dhe, nëse më lart e përcaktuan se kriza e Shqipërisë sot është ekonomike në funksion të mirëqenies dhe mbarëvajtjes shoqërore, dhe morale në funksion të drejtësisë, atëherë duhet të pranojmë me arsye të shëndoshë se, vendosja e drejtësisë eliminon nga skena dhe nxjerr jashtë qeverisjes të gjithë korrupsionin kryeministror që ka qeverisur në këta 20 vjetët e fundit.
Kjo është arsyeja politike që na tregon se, pas Reformës në Drejtësi, Shqipëria jo vetëm që hyn në BE si anëtarë me të drejta të plota, por do të vijë e të qeveriset me në fund me qeveri të afta e të moralshme drejt zhvillimit të saj integral dhe drejt bashkimit kombëtar.
Por a do të vijojë reajsioni i korrupsionit të lartë Berisha, Rama Meta, Basha kundër Reformës në Drejtësi?
Sigurisht që do të vazhdojë, por edhe qëndrimi amerikan kundër tyre do të jetë pa dyshim shumë i ashpër.
Nuk ka rrugë tjetër: vetëm goditja drastike amerikane kundrejt katërshes retrograde në Shqipëri mund ta përmbysë përfundimisht këtë katërshe të paaftë, anakronike, dhe të inkriminuar.
Dhe kjo do të vijë shumë shpejt, sepse një gjyqësor i drejtë dhe i pavarur do t’i likudojë plotësisht.
Por, a ka mundësi që kjo katërshe e korruptuar ta shpëtojë pushtetin e korruptuar gjyqësor?
Jo. Nuk ka më asnjë mundësi!
Koha e reformës shqiptare sot quhet me të drejtë: kohë absolute për shqiptarët dhe zhvillimin shqiptar