Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera “NJERIU ME HËNË” SI PARABOLË MEDIATIKE! Nga RAHIM OMBASHI

“NJERIU ME HËNË” SI PARABOLË MEDIATIKE! Nga RAHIM OMBASHI

Shqiptarët po miqësohen me muzgun duke i hedhur hapat e pasigurtë drejt zymtësisë e trishtimit. Realitetin rreket ta errësojë më fort media masive, me në krye ekranin televiziv apo shkrimet online, që fansat e tij e fetishizojnë se ka një fuqi të fshehtë. Njeriu modern që synon të zhbirojë gjithkund, ka bërë një marrëveshje me veten për të pranuar vetëindoktrinimin. 3 dekadat e lirisë ende nuk kanë mundur të shpëlajnë njollat kuqalashe, si edukim antihuman.

Në shkollat tona po punohet intensivisht për zhvillimin e frymës së kritikës, domethënë aftësinë për të formuar një mendim pozitiv nëpërmjet mirëkuptimit, butësisë, tolerancës (durimit), siç thuhet te manualet e Burbaki-ve apo vepra e Jean-Paul Sartre-it. Zijimi i gjithçkaje, i bie ndesh punës që po bëhet në institucionet tona arsimore. Kjo është detyrë edhe e gazetarëve dinjitarë, vërtet pak, por që nuk dinë të jepen.

Qysh në vitin 1924 te shkrimi Gazetarëve, Mithat Frashëri i përcakton si të tillë: “Çdo shkrimtar është një këshilltar; po gazetari është edhe më tepër akoma: një predikonjës, një njeri, fjalët e të cilit, të hedhura së sipri katedrës, mbeten e qëndrojnë. Edhe e shihni sa përgjegjësi ka ai që thotë ato fjalë.” Dhe predikonjës nuk mund të jetë një “njeri me hënë” i vetëshpallur gazetar.

Studimi i vitit 1967 mbi shumësin e singularizuar në gjuhën shqipe i Eqrem Çabejt, sqaron nëpërmjet shprehjeve sesi në disa raste, ai (shumësi), dëshmohet si mbeturina e fundit e botëkuptimit magjik të njeriut primitiv, sipas të cilit disa objekte e koncepte të caktuara përmbajnë në vetvete një fuqi të fshehtë. Albanologu luçid ka argumetuar disa përdorime të veçanta të shumësit, duke u bërë pendë me N. Joklin, profesorin e vet, që shumëse intensive të ndjenjës i kishte gjetur te poeti Naim Frashëri: mirësitë, ligësitë, marrëzitë, pabesitë, mbarësitë etj., duke e gjetur dukurinë e lashtë morfologjike edhe në dialektin e Tiranës ku thuhet “njeri me teka”, që gjuhëtari e shpjegon me shprehjen “njeri me hënë” (angl. moonshine).

Shfaqja e fenomenit “njeri me hënë” veçmas në mediat televizive, qartëson se janë të indoktrinuar edhe vetë gazetarët. Në këtë fillimshkurti, stacionet televizive përcjellin pa pra pamje sesi mbillen pemë në Tiranë apo rrethina, ndërkohë që dhjetori ka qenë muaji i pyllëzimeve dhe imazhi virtual formohet plotësisht. Parabolë historike e kohës që po shitet në aksham pazarin e allashverishit mediatik masiv e cila përhap propagandën e kalemxhinjve që janë zvjedhur me predikimin. Nuk është vetëm dëshirë, edhe një mundësi për mos u dhënë, sepse atë lloj botëkuptimi plot durim e bëmë tonin qysh rreth një shekull më parë, veçse atëherë në medien masive kishte idealistë vizionarë.

Në janar 1926, Faik Konica te “Dielli” i Bostonit, i kërkon Mustafa Merlikës, që i pëlqente të thirrej Mustafa Kruja (M.K. si emër letrar), t’u përgjigjet ‘kthielltë, hapët, thatë e shqip’ pesë pyetjeve. Përgjigjen e merr te gazeta “Immigranti” Worcester, Mass., më 13 mars 1926.

Pyetja e parë shprehte shqetësimin e luçidit të kulturës në se e mohonte M.K. që një kryengritje e re mund të vinte në rrezik jetën e shtetit shqiptar, siç dhe ndodhi pas disa muajsh, ndërkohë që M.K. e mohoi lehtë e shpejt.

Pyetjes së dytë se një atentat kundër jetës së Presidentit të Republikës do të shkaktonte një luftë civile e pse jo edhe një kryengritje, M.K. iu përgjigj po me mohim, brenda ligjërimit politik komunist, që po rritej në Shqipëri nga elita politike e kohës, por pa dhënë argumente bindëse.

Pyetjes së tretë: “A mohoni se ulërimat dhe intrigat tuaja, po të dëgjohen dhe po të përhapen, shpien drejpërdrejt në kryengritje a në atentat ose në të dyja”, siç edhe u dëshmua shumë shpejt, M.K. iu përgjigj me pohim, duke e pranuar se po e përgatitnin kryengritjen kundër shtetit ligjor të porsa ngritur.

Pyetja e katërt e Faik Konicës merr përsëri një përgjigje pohuese, që është tërësisht brenda ligjërimit ideologjik të ekstremit të majtë stalinian, e cila fshihej pas tipareve tona individuale sociale dhe psikologjike shumë të largëta me mendësinë kolektiviste të ‘Bolshevizmës’: “A e mohoni se Fuqitë e Mëdha që rregullojnë sot botën janë të gjitha armike të nxehta të Bolshevizmës dhe s’mund kurrë të durojnë që Shqipëria të bëhet një fole bolshevike?”

Në përgjigjen emocionale dhe shumë afër propagandës vrastare staliniste të kohës, M.K., ndonëse pranon se ‘nuk janë (stili funksional mbretëror) të çmendur që të mihin në ujë’, shton se e dinin më mirë se Z. Faik Konica (!) se bolshevizma s’kishte vend në Shqipëri.

Pyetja e pestë dhe e fundit është më e shkurtër, më e thukët, por tronditëse. Faik Konica nga SHBA-të kërkon që M.K. të përgjigjet me anë të një deklarate, ku e zeza të mbetet përgjithmonë mbi të bardhën e pakohë: “Pse nuk botoni një deklaratë ku të dënohet sheshit çdo lidhje juaja, paraje e simpatie, me Rusinë Bolshevike?”

Përgjigjja e M.K. është dëshmi se i mërguari i përjetshëm, ka mizën në kësulë: “N’ushqefshim simpati për Rusinë e re, për Rusinë bolshevike, kjo provon vetëm naltësinë e idealevet tona si kombëtarë, për sa ai Shtet ka dalë sod në shesh si mbrojtës i të drejtavet të popujve të shtypun, të shfrytëzuem e të tiranizuem” dhe pa iu dridhur dora, shton më poshtë:

“Në fund të fundit simpatia e një shqiptari për Rusin bolshevike, pa interesa të veçanta në Shqipni, asht gjithnjë ma e kthielltë se ajo qi mund të ketë për çdo Shtet tjetër borgjez, sidomos për ata që pak së paku kërkojnë të na pijnë gjakun ekonomikisht, edhe kur s’na kërkojnë copa të gjalla nga trupi i shenjtë i atdheut!”

Të lindet gazetari, do të klithte Migjeni, uragani i ndërprerë, si e metaforizoi Ismail Kadareja. Ligjërimi i përgjigjes jo vetëm që shfaqet dukshëm ideologjik, por është mufatur me doza të entusiazmit agresiv, të cilin ky veprimtar kombëtar, e jo vetëm, e paguan shtrenjtë, por mbi të gjitha shqiptarët, që parapëlqyen të besonin mediet e publicistëve me hënë. Jo vetëm Noli, por edhe S. Luarasi, T. Zavalani, Dh. Shuteriqi, Zai Fundo, Sejfulla Maleshova, Koço Tashko, P. Marko, Omer Nishani, Kristaq Cepa, Gaqo Evangjeli, Dhimitër Falo, Dhimitër Pasko e jo pak të tjerëqë mbollën atë kripë për farë, paguan shtrenjtëiluzionin, që e pandehën si ëndërr. Fati do të kishte qenë edhe më i rëndë, po qe se nga matanë oqeanit nuk do të kishte mbajtur ekuilibrin politik dhe atë mediatik Faik Konica, intelektuali që përpiqej të injektonte në mendësinë e shqiptarit të kohës, qëndrimin kritik dhe analitik, i cili nuk vendos mbi argumente emocionale.

Fjalët kyçe lufta civile, kryengritje, ulërima, intriga e deri atentat ngjethin edhe qytetarin më të përmbajtur. Në epokën e ndritur të medies shqiptare të viteve ’30 iu bindën shkopit të dirigjentit shpirtëror për interesat e atdheut deri dhe Mitat e Mehdi Frashëri, Fan Noli, Fishta e Zef Valentini, At Donat Kurti, Krist Maloki e Vangjel Koça, Ernest Koliqi, Hafiz Ali Korça, Vinçens Prenushi e Lazer Shantoja, Branko Merxhani, Hafiz Ali Kraja, Kristo Floqi, Pader Anton Harapi, Ali Asllani, M. Kuteli. L. Poradeci, Arshi e Myzafer Pipa, Qiriazët, Dhimitër Shuteriqi, Vedat Kokona… pa dallim.

Ndërsa te ne aktualisht vijon intensivisht uzurpimi i frekuencave publike, që i ka vënë poshtë pushteti autoritar. Po kalohet nën tiraninë e medias, që, nën ndikimin e shkollës demagogjike me tellallë të paguar mirë, rreket të pengojë njohjen e realitetit duke prodhuar konflikte të pastra sociale.

Për fatin tonë të mirë, rreth tri dekada pas rënies së sistemit enverist stalian, janë disa prijësa, tashmë jashtë dhe brenda atdheut, dhe na duket diçka jo e zakonshme që ata nuk heshtin, por paguajnë koston. Madje tani shqiptarët janë me dy qendra kulturore, me Tiranën e Prishtinën, çka nuk është pak.

Na duhet qoftë dhe një prijës më shumë në media që tërtheret për shqiptarët, sa nuk do të jetë vonë. Zhul Verni ka lënë në jashtëkohësi aforizmin: “Liria ia vlen të paguhet.

Share: