Home KRYESORE PD dhe LSI: Teatri Kombëtar nuk shembet

PD dhe LSI: Teatri Kombëtar nuk shembet

-Opozita i bashkohet kauzës së artistëve kundër shkatërrimit të godinës së Teatrit Kombëtar. Vendimi: T’ia thyejmë hundët arrogancës së qeverisë.

-Burime nga ministria e Kulturës tregojnë se plani për prishjen e Teatrit do zbatohet natën, pa asnjë lajmërim, ku fadromat do rrëzojnë gjithçka

Kauzës së aktorëve dhe artistëve të Teatrit Kombëtar u janë bashkuar dje edhe forcat kryesore të opozitës, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Në një takim të thirrur nga aktorët në ambientet e Teatrit Kombëtar u paraqitën pjesa më e madhe e drejtuesve të grupeve parlamentare të PD dhe LSI. Takimi pati si qëllim koordinimin e qëndrimeve lidhur me projektin e qeverisë për shembjen e godinës së teatrit dhe ndërtimin e një godine të re. Projekti i ri i qeverisë, i cili kundërshtohet prej disa muajsh nga aktorët, shkatërron gjithë kujtesën historike kulturore të artit skenik. Me justifikimin se duhet një godinë e re për teatrin, në vend të objektit ekzistues do të ngrihet një qendër tregtare tregtare me shërbime dhe dyqane, ku brenda saj do të ketë dhe një kat për aktorët. Vendimi i qeverisë është marrë pa pyetur artistët dhe pritet të vendoset në zbatim brenda një kohe të shkurtër. Burime nga ministria e Kulturës tregojnë se plani për prishjen e Teatrit do zbatohet natën, pa asnjë lajmërim, ku fadromat do rrëzojnë gjithçka.

Pikërisht për të ndalur këtë projekt, që artistët e cilësojnë masakër të kulturës shqiptare, një grup i madh aktorësh prej disa javësh kanë nisur dëgjesa publike. Në takime kanë marrë pjesë gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, por asnjë herë përfaqësues të qeverisë nuk kanë shkuar. Dje ishin thirrur për dëgjesë gjithë ligjvënësit e Kuvendit, por ata që iu përgjigjen thirrjes ishin vetëm deputetët e PD dhe LSI. Socialistët, siç duket me urdhër të qeverisë zgjodhën të bojkotojnë takimin duke mos pranuar as ti dëgjojnë artistët dhe shqetësimet e tyre. Si rastësisht, takimi i zhvilluar pasditen e djeshme u bojkotua thuajse nga pjesa më e madhe e medieve televizive. Në vend të apelit të artistëve si i madhi Robert Ndrenika që kundërshton shkatërrimin e objektit dhe kërkon nga kryeministri që të paktën t’i dëgjojë artistët, mediat transmetonin fushatën e “Llogaridhënies së Qeverisë”. Qeveria dhe deputetët e PS nuk janë të detyruar të mendojnë njëlloj si aktorët për teatrin, por më e pakta duhet t’i dëgjojnë për rezervat që kanë për projektin e ri. Vendosja e artistëve para faktit të kryer duke miratuar projektin e godinës së re duke ndarë dhe tokën ku ndodhet teatri me bizneset që do investojnë vetëm sa e ka komplikuar situatën. Ndaj nuk është mirë që policia të përplaset me artistët e vendit.

Deputetët e opozitës, Luan Rama, Enkelejd Alibeaj, Grida Duma dhe të tjerë deklaruan se mbrojtja e godinës së Teatrit Kombëtar nuk është një çështje politike. Pavarësisht interesit që çdo opozitë ka për të shfrytëzuar pakënaqësitë në shoqëri kundër qeverisë, deputetët e PD dhe LSI deklaruan se mbrojtja e godinës së Teatrit nuk lidhet me politikën e ditës, por me dinjitetin e shoqërisë. “Kemi ardhur këtu të flasim hapur. Mund të mos mendojmë njëlloj për shumë gjëra, por e thënë troç, ajo që na bashkon me ju në këtë kauzë kundër shembjes së godinës së Tetarit Kombëtar është se duam t’ja thyejmë hundën arrogancës së qeverisë”,- tha deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Në takim me artistët deputetët e opozitës premtuan se do të ishin në krah të aktorëve jo vetëm me mbështetje për nismat ligjore që kanë të bëjnë me godinën dhe artin, por edhe fizikisht në rast se qeveria do të tentojë të shembë godinën. Luan Rama tha për “Koha Jone” se do përballet e përplaset me policinë bashkë me artistët, nëse qeveria çmendet dhe fillon prishjen e Teatrit Kombëtar.

Varianti i ndërhyrjes se fadromave për të rrëzuar Teatrin Kombëtar po qarkullon prej kohësh. Qeveria ka miratuar ligjin që e heq godinën nga zona e mbrojtur kulturore. Është prezantuar dhe projekti i godinës së re dhe mbetet vetëm çështje kohe që të urdhërohet nisja e punimeve. Një lobim i fortë po bëhet nga qeveria për të përçarë artistët që kundërshtojnë projektin, ndonëse emra të njohur të skenës që kanë integritet kanë premtuar se godina shkatërrohet vetëm nëse fadromat kalojnë mbi trupin e tyre. Dje artistëve që ishin lënë vetëm nga qeveria dhe shumica e medias, iu bashkuan zyrtarisht dhe forcat kryesore të opozitës.

Me sa duket do kemi përplasje me fadromat e mesnatës!

/KohaJone/

Share: