Kryeministri Edi Rama, duke e konsideruar të gjithë historinë e skandalit të vëllezërve Xhafaj, një parodi dhe një maskaradë të mirëfilltë destabilizuese, ka ritreguar me nota ironie atë që ka ndodhur këto ditë, që nga zbulimi i vendimit të dënimit të Agron Xhafajt, tek akuzat për mos-ekstradimin e tij e deri tek përgjimi i publikuar nga PD.
“Kam parë reagimet e njerëzve këto ditë që në mënyra të ndryshme, mos e lësho edhe Fatmirin si lëshove Saimirin, Saliu nuk ka lëshuar vrasës, mos e lësho për të mbajtur karrigen tënde e të tjera me radhë, në këtë diskurs. Por u them të gjithë atyre që mendojnë kështu, se unë mendoj më ndryshe se ata.
Drejtësia nuk bëhet duke shkuar pas gjurmëve të njerëzve tanë, ndërkohë që ujqërit të padrejtësive nuk u ka hyrë gjëmbë në këmbë, por duhet tu dëgjojmë ulërimën duke kërkuar koka ndër ne.
Së pari, ne nuk jemi ata, as nuk jemi si ata, as nuk mund e nuk duhet të bëhemi si ata. Nuk jemi të rënë nga qielli, nuk jemi engjëj, të paprekshëm e të pagabueshëm.
Ne kemi një dallim themelor me ta, ne socialistët historikisht jo sot, por edhe sot, marrim përgjegjësi për vendin.
Ne mbajmë përgjegjësi për veten. Nëse ata janë të papërgjegjshëm, në raport me vendin dhe veten e kanë lënë peng që në vitin 1991. Parimi i atij pengmarrësi të partisë së tij në krye të atyre për 30 vjet me radhë, është unë të ngre dhe unë të mbaj, mjafton që të bësh atë që them unë dhe ti mund të vrasësh, djegës apo godasësh dhe unë s’të lëshoj gjallë.
Te ne s’ka qenë kurrë kështu dhe s’ka për të qenë dot kështu. Ne jemi ndryshe, nuk jemi si ata. Nuk është rastësi po të kthesh kokën pas, sa herë atyre u është dhënë mundësia të ndërtojnë qoftë edhe një komunë, kanë shkatërruar e kanë prishur më shumë se sa kanë ndërtuar. Ndërsa ne që nga lindja e PS-së, gjithmonë kemi ndërtuar dhe ndrequr më shumë se sa kemi prishur” u shpreh Rama duke demostruar se nuk ka asnje vullnet per doreheqeje te ministri Fatmir Xhafaj apo shkarkim te tij nga ana e vete kryeministrit.