Home KRYESORE Reagimi i babait, gjykata rikthen në burg bashkëpunëtorët në vrasjen e Marvi...

Reagimi i babait, gjykata rikthen në burg bashkëpunëtorët në vrasjen e Marvi Mihalit

Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit të ri që po heton vrasjen e 22-vjeçarit Marvi Mihali për të rikthyer në burg tre të rinjtë që u liruan në datë 11 maj. Pak ditë më parë gjykata vendosi që të lironte nga burgu Eugen Bitrajn, Kridens Allën dhe Marsel Allën, ndërsa i vetmi që mbeti në qeli është Dejvi Bitraj.

Por pas kallëzimit të babait të 22-vjeçarit Pavllo Mihali, me kërkesë të prokurorit të ri të cështjes Gjergji Tako, gjykata pranoi kërkesën që të rinjtë të kthehen në qeli. Tre të rinjtë që u liruan fillimisht u akuzuan për ‘Mos kallëzim krimi’, por prokurori Tako kërkoi riarrestimin e tyre me akuzën e ‘Vrasjes në bashkëpunim’.

Pak ditë më parë Pavllo Mihali, babai i 22-vjeçarit Marvi Mihali i cili u vra me thikë pas një sherri për një karikues telefoni në datë 31 korrik 2017 denoncoi në prokurorinë e Krimeve të Rënda prokurorin e çështjes Artan Lulaj, dy gjyqtarët Bedri Qorri dhe Sokol Pasho dhe oficerin e policisë gjyqësore Kliton Zharri si të korruptuar.

Mihali akuzon se ata kanë marrë ryshfet për të liruar nga burgu 3 nga 4 të rinjtë e arrestuar për vrasjen e djalit të tij. Sipas tij, prokurori dhe gjyqtarët këmbyen gjakun e tij me shumat me para që morën. Por sot gjykata me kërkesë të prokurorit të ri Tako vendosi që të rikthen në burg. Pas vendimit të gjykatës, i ati i viktimës u shpreh për mediat se “Presim të vendoset drejtësia plotësisht”.

Share: