Home Gjeo-Ekonomia Roli i ndriçimit publik për hapjen e tregut të shërbimeve te energjisë

Roli i ndriçimit publik për hapjen e tregut të shërbimeve te energjisë

Nga Dr. Lorenc Gordani*

Nxjerrja e sektorit te energjisë prej situatës se emergjencës, është një premise e mire për rivitalizimin e iniciativave afatgjata te zhvillimit te sistemit energjetike shqiptare. Ne këtë drejtim, efiçienca energjetike është një instrument strategjike, duke u konsideruar “burimi me i mire i energjisë”. Kështu, me aprovimin e planit te veprimit te efiçiencës, e cila përshkruan objektivat kombëtare deri ne 2020, është intensifikuar puna për përgatitjen e legjislacionit dytësore mbështetës dhe kërkimin e mënyrave te zbatimit ne praktike te efiçiencës se energjisë.

Për sa me sipër në masat me prioritet të lartë përbëjnë angazhimet e ndërmarra përmes ligjeve DEE-së dhe PEN-së. Këto masa lidhen me se shumti me sektorin e ndërtesave dhe sektorin publik, si dhe detyrimet mbi konsumatorët e mëdhenj. Për të përshpejtuar këtë progres, ligji për efiçiencën e energjisë, konfirmuar nga PKVEE-ja, kërkon që politika kombëtare te mbështetet në parimin e transformimit të sektorit publik në një model, nëpërmjet investimeve, përdorimit të shërbimeve energjetike dhe masave të tjera për përmirësimin e efiçiencës së energjisë.

Tashmë, një numër projektesh pilote kanë filluar me ndërtesat kryesisht arsimore, kur dihet që sektori publik përfshin një larmi nën-sektorësh dhe shërbimesh publike. Në lidhje me masat në sektorin publik vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet masës mbi ndriçimin publik. Bashkitë si konsumatorë te mëdhenj, sipas ligjit për efiçiencën e energjisë, janë të detyruara të organizojë menaxhimin e energjisë dhe të plotësojnë rekomandimet e auditimit me masat për efiçiencën e energjisë. Përmirësime të tilla për efiçiencën e energjisë në ndriçimin publik janë përfshirë në mënyrë të qartë në nenet e ligjit për efiçiencën e energjisë, si një masë e përshtatshme për të përfituar financim nga Fondi i Efiçiencës së Energjisë.

Ne fakt sa me sipër është vetëm një vazhdim dhe përmirësim i masës së mëparshme për te nxitur efiçiencën e energjisë në sistemet e ndriçimit publik nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm financiarë, përfshire bashkëfinancimi i masave dhe shërbimeve energjetike të kompanive ESCO. Për ketë duhen përpiluar planet e veprimit për përputhshmërinë e ndriçimit publik me standardet e përshtatshme dhe raportuar çdo vit mbi aktivitetet e zbatuara. Aktivitet qe do të duhet te stimulohet duke shfrytëzuar potencialet për kursime të energjisë, nëpërmjet përdorimit të shërbimeve energjetike, pa vendosur barrë buxhetore.

Programi i detajuar për rinovimin e ndriçimit publik qe duhet të hartohet nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë (me saktësisht AEE-ja) në bashkëpunim me Pushtetin Vendor. Zbatimi i Programit, qe duhet te kishte filluar qe në vitin 2017, duhet, ndër të tjera, të përfshijë dhe zhvillojë komponentët inovativë për mekanizma të ndryshëm financiarë, mbështetur ne Fondin e Eficencës së Energjisë/MIE (AEE)/Pushteti Vendor/Fonde të tjera (IFC, EBRD, GIZ, Banka Lokale, etj.)

Nëse kjo masë do të mund të trajtohet me një plan konkret zhvillimi mund të këtë hapësira për të krijuar partneritet investimi duke zhvilluar skema investimi nëpërmjet kompanive ESCO dhe Pushtetit Vendor dhe partneritetit Publik-Privat. Për të vendosur mbi skemat e financimit për implementimin e kësaj mase shumë varet nga potenciali i kursimit (që vlerësohet në 450 kWh në vit për ndriçues, ku zëvendësimi i vetëm 10,000 ndriçuesve në vit do te sillte kursim te 3.9 ktoe deri ne 2020). Po ashtu kjo mund vij edhe me ane te skemave te subvencionit në kuadër të marrëveshjeve vullnetare nëpërmjet konsumatorëve të mëdhenj dhe AEE-së nëpërmjet Fondit të EE-së. Aktualisht buxheti i parashikuar për implementimin e kësaj mase është 2.6 Mil/Euro deri në 2020.

Por, me gjithë potencialin e konsiderueshëm ne kontraktimin e performancës, tregu për ESCO-t dhe kontraktimi i performancës energjetike kanë qenë të kufizuara nga mungesa e një kuadri rregullator të qartë dhe procesit të licencimit, opsioneve të financimit dhe stimujve, si dhe njohjes së kostove dhe pasjes së eksperiencës në furnizim. Kështu, furnizimi i ndarë dhe mungesa e opsioneve dhe ekspertizës për sigurimin e masave për EE-në, është një kufizim për zhvillimin e këtij sektori. Kombinimi i një furnizimi të pakoordinuar të tregut me mungesën e kodeve të praktikës dhe niveleve të ulëta të informimit lidhur me kriteret për EE-në (p.sh. nëpërmjet etiketimit), nxjerr në pah rëndësinë e ndërmarrjes se veprimeve shtesë te zbatimit të mbështetjes të masave për EE-në.

Ligjit për efiçiencën e energjisë, ka për qëllim të ofrojë bazat për të luftuar këtë çështje. Shërbimet energjetike mund të sigurohen me negocim të lirë ndërmjet palëve, të termave dhe kushteve, përveçse kur ato sigurohen nga një program i financuar nga Fondi për Efiçiencën e Energjisë. Për me shume, auditimet energjetike janë të detyrueshme dhe duhet te kryhen çdo 3 vjet për çdo subjekt që kategorizohet si konsumator i madh energjie. Në këto rrethana, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, me propozimin e Agjencisë për Efiçiencën e Energjisë, do duhet të miratojë sa me pare kontratat standarde për shërbimet energjetike.

Përderisa mundësitë e financimit tregtar në këtë fushë vazhdojnë të mungojnë, në fazat e para të zhvillimit të tregut, Fondi për Efiçiencën e Energjisë mund të jetë një burim shumë i rëndësishëm për financim. Me qëllim të rritjes maksimale të potencialit të ESCO-ve, promovimi/marketingu i mundësive, është jetësor, veçanërisht duke marrë parasysh nivelin e ulët të njohurive në zyrat publike dhe ato te prokurimeve pranë bashkive, lidhur me format e kontratave të shërbimeve energjetike. Kjo masë do të jetë ngushtësisht e harmonizuar me trajnimin e audituesve të energjisë dhe përditësimin e rregullave të prokurimeve publike me qëllim që të reflektohen kriteret e EE-së dhe kostot e ciklit të jetëgjatësisë.

Detajet financiare për investimet ESCO, të prokuruar nga një agjenci publike kërkojnë sqarimin te mëtejshëm, që do të thotë se investime të tilla që garantohen nga kursimet e energjisë nuk duhet të jenë borxh publik dhe se pagesat sipas EPC-së duhet të jenë plotësisht të lejuara si një zë i buxhetit. Ndërsa buxhetet shumëvjeçare lejohen me miratimin e Ministrisë së Financave, aktualisht entitetet publike duhet të përgatisin parashikimet 3-vjeçare. Prandaj kërkohet të zhvillohet planifikimi buxhetor afatgjatë dhe miratimi i pagesave, sipas një EPC-je, si një zë buxheti plotësisht i lejuar.

MIE është përgjegjëse për përgatitjen e akteve nënligjore të kërkuara (për t’u miratuar nga Këshilli i Ministrave) mbi kategoritë, kushtet, kërkesat e kualifikimit e të ekspertizës profesionale që duhet të kenë kompanitë e shërbimeve energjetike. Megjithatë, zbatimi me sukses i kësaj mase do të kërkojë përfshirjen e shumë entiteteve shtetërore, si edhe sigurimin e trajnimeve për specialistët e prokurimeve mbi mënyrën si të trajtohen tenderat ESCO, për APP-në dhe bashkitë në shqyrtimin e ESCO-ve në prokurimet publike. Nga ana e tregut, krijimi dhe zhvillimi i shoqatave tregtare dhe kodeve përkatëse të praktikës, si edhe thellimi i kuptimit të kontraktimit ESCO nga bankat e nivelit të dytë do të jenë të dyja shumë të rëndësishme.

Shënim: Mendimet dhe opinionet e këtu me sipër shprehur i përkasin autorit të tyre. Ndërsa të gjitha përpjekjet janë bërë për të siguruar saktësinë e tyre, sa këtu nuk ka për qëllim të ofrojë këshilla ligjore, pasi qe situatat individuale mund të ndryshojnë dhe duhet të diskutohen me një ekspert. Për çdo këshillë specifike teknike ose ligjore, mbi informacionin e ofruar dhe tema të ngjashme, mund të kontaktoni përmes “[email protected]”.

*Pedagog, Universiteti Metropolitan Tirana

Share: