Një gjykatë federale në Nju Jork urdhëroi Iranin të paguajë miliarda dollarë për prindërit, bashkëshortët, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e më shumë se 1,000 viktimave të sulmeve të 11 shtatorit.
Vendimi u mësua nga disa dokumente gjyqësore të siguruara nga agjencia amerikane, “ABC News”. Vendimi gjyqësor i caktuar nga gjykatësi George B. Daniels, ka gjetur se Republika Islamike e Iranit, Trupat e Gardës Islamike Revolucionare dhe Banka Qendrore e Republikës Islamike të Iranit janë përgjegjës për vdekjen e 1,008 njerëzve, familjet e të cilëve i kanë paditur.
Padia u paraqit për herë të parë në vitin 2004 dhe u lejua të vazhdojë në vitin 2016, pasi Kongresi miratoi Aktin e Drejtësisë Kundër Sponsorëve të Terrorizmit, për shtetet sovrane të akuzuara për përgjegjësi në terrorizëm. Irani pretendohet se është ndihmës i terrorizmit, duke përfshirë trajnimin e rrëmbyesve të avionëve të përdorur në sulmin e 11 shtatorit 2001, madje edhe pse Komisioni i 11 shtatorit nuk gjeti prova të drejtpërdrejta të mbështetjes iraniane.
Gjyqtari federal i vendosi dëmshpërblimet në këtë mënyrë: 12.5 milionë dollarë për bashkëshort, 8.5 milionë dollarë për prindërit, 8.5 milionë dollarë për fëmijët dhe 4.25 milionë dollarë për vëllezërit e motrat. “Në dhjetor të vitit 2011, një gjykatë federale e Nju Jorkut mbajti një seancë dhe gjeti se provat e paraqitura treguan se ofrimi i mbështetjes materiale të Iranit ndaj al-Kaedës ishte shkak i sulmeve të 11 shtatorit, si dhe dëmeve, plagosjeve dhe vdekjeve që rezultuan”, tha avokati Robert Haefele i ‘Motley Rice LLC”, i cili përfaqëson paditësit.
Ai kujtoi edhe provat kundër Arabisë Saudite, e cila mbetet e rëndësishme për rastin e paditësve. Gjykimi është simbolik. Irani nuk ka reaguar kurrë ndaj padisë dhe nuk ka gjasa të paguajë ndonjëherë. Familjet kanë të drejtë të mbledhin nga një fond i vogël i aseteve të konfiskuara iraniane. Gjykimi është pjesë e rastit më të madh që familjet e 11 shtatorit po ndjekin kundër Arabisë Saudite.
360grade.al