Home KRYESORE “Zëri i Amerikës”: Pikëpyetjet e video-përgjimit të PD-së, për vëllain e Fatmir...

“Zëri i Amerikës”: Pikëpyetjet e video-përgjimit të PD-së, për vëllain e Fatmir Xhafajt

Në Shqipëri, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka bërë mbrëmjen e së hënës kallzim penal ndaj tre përfaqësuesve demokratë, Enkelejd Alibeaj, deputet, Ervin Salianji deputet dhe Gazmend Bardhi, ekspert ligjor pranë PD, të cilët më herët gjatë ditës publikuan rregjistrimin audio të një bisede që sipas tyre ishte zhvilluar mes tij dhe një ish të dënuari për trafik droge.

Agron Xhafaj, ka kërkuar procedimin penal ndaj tyre për veprën “Kallzim i rremë”.

Sipas tij, audio-përgjimi është “i rremë, i konsumuar nëpërmjet sajesës dhe manipulimit të provave”.

Partia Demokratike tha të hënën se biseda kishte qenë objekt i një përgjimi ambiental, pa shpjeguar se si ajo kishte arritur ta shtinte në dorë, ndërsa më vonë, në intervista në media, përfaqësuesit demokratë saktësuan vetëm se ajo ishte zhvilluar në kohën që zoti Xhafaj ishte në detyrën e ministrit të Brendshëm.

Ndonëse nga pjesa audio e publikuar, kuptohet vetëm se personi që bisedon me vëllanë e ministrit i kërkon atij një favor, dhe se ky i fundit e drejton për te një shoku i tij, duke i përsëritur disa herë që të mos i “bjerë më në qafë” dhe se kjo do të ishte “hera e fundit”, demokratët shpjeguan se bëhet fjalë për një njeri i cili në të kaluarën kishte bashkëpunuar me Agron Xhafën në trafikun e drogës.

Sipas demokratëve nderi që ai i ka kërkuar, ka qenë që t’i “siguronte një ngarkesë me marijuanë dhe ata punësonte si skafist për të bërë një rrugë, pasi kishte mbetur pa para”, shpjegohej në materialin e shpërndarë nga PD, por që vëllai i ministrit e konsideron të rremë.(VOA)

Share: