Home KRYESORE Maqedonia, emri i ri: Nocioni gjeografik më i mirë se historik

Maqedonia, emri i ri: Nocioni gjeografik më i mirë se historik

Nga Prof. Lisen Bashkurti

Mbas një bllokimi të gjatë nga Greqia të procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE për shkak të debatit për emrin duket se zgjidhja erdhi. Negociatat e shumta e mjaft kontraverse përfunduan me emrin ‘Republika e Maqedonisë Veriore”. Eshtë një përcaktim me nocion etno-gjeografik.

Kalvari i debateve duket se ka qënë rreth nocionit që do formulohej emri iri. Ka pasur dy grup-propozimesh: një grup emrash me nocione thjeshtë historike dhe një grup emrash me nocione thjeshtë gjeografike. Emrat me nocione thjeshtë historike duket se kanë bartur ngarkesa etno-historike-kulturore me shumë ambiguitete, të papranueshme kryesisht nga pala Greke. Emrat me nocione thjesht gjeografike kanë zbehur deri ne fshirje identitetin etno-historik-kulturor dhe si të tillë janë hedhur poshtë gjatë bisedimeve nga pala Maqedone.

Zgjidhja erdhi si rezultat i kompromisit midis dy grup-emrash, të atyre historik dhe gjeografik së bashku. Ky emër kompromisi duket se kënaqë më së shumti të dy palët: pala Maqedone ndjen të realizuar identitetin historik-kulturor (ne pjesen e emrit ‘e Maqedonise’). Ndersa pala greke ndjehet e kënaqur sepse ka arritur të ruajë identitetin e saj antik të Maqedonisë, duke e lokalizuar gjeografikisht (në pjesën e emrit ‘Veriore’). Të dy palët kanë lëshur dicka nga vetja për t’ia dhënë palës tjetër, sikundër kanë fituar dicka për vete duke ia kufizuar palës tjetër. Zgjidhja duket të jetë e arsyeshme. Tipike formulë negociatash, ku asnjëra palë nuk fiton gjithcka, por edhe nuk humbë gjithcka. Eshtë një rezultat ëin-ëin. Ose një fitore pa të humbur.

Edhe nga përvoja historike e diskurseve politiko-diplomatike për ermat e shteteve praktika e përcaktimeve etnike e mpleksur me nocione gjeografike ka qënë më e gjendur, më e pranueshme dhe si rrjedhoje më e qëndrueshme. Kështu kemi emrat e Koresë së Veriut, të Timorit Lindor etj., që janë përdorur në rrethana specifike, por në mënyrë të qëndrueshme.

Mbas arritjes se kompromisit për emrin, Republikës së Maqedonise Veriore i hapet rruga për të hedhur dy hapa të mëdhenj drejt integrimeve Euro-Atlantike: antaresimit të plotë në NATO dhe hapjen e negociatave për antarësim në BE. Në të dy këto dimensione të integrimit avancimi i Republikës së Maqedonisë Veriore është me dobi të madhe për vëndin dhe për mbarë Ballkanin Perëndimor.

Share: