Home KRYESORE Nëna gjen djalin pas 45 vitesh: Më fal që të braktisa…

Nëna gjen djalin pas 45 vitesh: Më fal që të braktisa…

Takimi nënë e bir për herë të parë pas 45 vitesh është pritur me emocion të madh në studion e “E Diela Shqiptare” në TV Klan. Nisur nga rrethanat, Lumturi Bregu ishte detyruar ta braktiste djalin e saj kur ishte veçse një foshnje 3 muajshe, por nuk ka rreshtur kurrë së kërkuari për të.

Përtej dëshirës për ta takuar, Lumturia ka qetësuar shpirtin nga dilema e mundimshme se a do arrinte Fatjoni ta falte që e braktisi. Nga sot nuk ka më asnjë dyshim. Përqafimi i ngrohtë mes tyre i ka hapur rrugën një kapitulli të gjatë pranimi dhe njohje mes të dyve.

Lumturia kishte udhëtoi enkas nga Palermo e Italisë, ku jeton prej 25 vitesh, drejt Tiranës për të kërkuar të birin. Teksa tregonte historinë e saj në studion e emisionit, ajo nuk e dinte që stafi i’a kishte gjetur djalin dhe ai ishte pak metra më tutje, përtej murit, duke dëgjuar me kureshtje të vërtetën e ardhjes së tij në jetë.

Fatjoni është birësuar nga një çift nga Pogradeci dhe pas disa vitesh është zhvendosur me banim në një fshat të Elbasanit. Teksa e ëma biologjike, Lumturia e kërkonte pa pushim, nuk e dinte që familja që e kishte birësuar e kishin sjellë aq afër saj, pak minuta larg qytetit të Elbasanit. Ai mësoi që ishte fëmijë i adoptuar që në moshë të re, por kurrë nuk e ka ditur se cila ishte nëna që e solli në jetë.

Por cila është historia e Lumturies dhe Fatjonit?

Ende pa mbushur 16 vjeç, Lumturia u dashurua me një djalë nga Elbasani, me të cilin mbeti shtatzënë. Dy familjet nuk e dinin për lidhjen e të rinjve dhe as ata vetë nuk ishin të përgatitur për të sjellë në jetë një fëmijë. Sapo i dashuri i saj mori vesh faktin se do bëhej baba, këmbënguli që Lumturia ta hiqte fëmijën, por ajo nuk pranoi. Ai e braktisi dhe Lumturia duhej të përballej e vetmje me pasojat që do vinin pasi të mësohej fakti se ishe shtatzënë. Ka qenë një moment thuajse prag tragjedie dita kur i ati i Lumturies ka marrë vesh të vërtetën për të bijën. Si një ish-ushtarak e veteran i nderuar në qytetin e tij, shteti i kishte dhuruar armën e shërbimit, të cilën e mbante në shtëpi. Në një moment dëshpërimi të thellë nga braktisja e të dashurit, në prag të lindjes së një fëmije e vetme dhe frikës nga “persekutimi” i opinionit publik, Lumturia mori armën e të atit dhe vendos t’i japë fund jetës.

Fatmirësisht i ati e vërejti që ajo kishte marrë armën dhe lajmëroi policinë, e cila mundi ta parandalonte tragjedinë në kohë. Nga marrja në pyetje, ajo u detyrua të tregonte të fshehtën e saj dhe kështu familja mësoi se vajza e tyre priste një fëmijë. Vështirësitë për adoleshenten që priste të bëhej mama u shtuan edhe më tepër, pasi i ati nuk arrinte ta pranonte këtë gjë. Edhe kur lindi, Lumturia ishte e vetme, pasi nuk i tregoi asnjërit prej pjesëtarëve të familjes që t’i gjendej pranë.

Mëngjesin e 22 Janarit të vitit 1973 ajo shkoi në maternitet për të sjellë në jetë Fatjonin. Për tre muaj ajo qëndroi bashkë me të birin në maternitet, duke e ushqyer vazhdimisht me gji. Imazhi i foshnjes ende nuk i shqitet nga mendja, megjithëse kanë kaluar plot 45 vjet.

Duke iu dridhur zëri ajo tha: “Nuk më hiqet nga mendja. Ai ishte bjond, me pak flokë të rëna si i ati, sytë i kishte me qerpikë të kthyer. Çuni ishte i bukur. Ia vura emrin Fatjon Bregu, me mbiemrin tim”.

Pas tre muajsh Lumtria duhej të linte spitalin dhe të kthehej në punë tek Uzina Kimike në Mjekës. U largua zemërthyer sepse djalin nuk e mori dot me vete. Ajo kujtoi e trishtuar sesi babai nuk e lejoi ta merrte djalin në shtëpi, për shkak të opinionit të njerëzve.

Përpos kësaj ajo kishte probleme shëndetësore, të cilat vazhdon t’i ketë edhe sot. Lumturia si një adoleshente pa përkrahje, pa mundësi ekonomike e shëndetësore dhe e paragjykuar nga njerëzit u detyrua të hidhte firmën me dorën që i dridhej, që djali të kalonte nën kujdestarinë e shtetit.

“Vajta për ta parë çunin prapë në maternitet, ato ma nxorrën dhe ika prapë në shtëpi. Kur vajta herën tjetër e kishin larguar dhe nuk e gjeta sepse e kishin çuar në befotrof. Një komshia ime që ishte mami më tha që e kanë çuar në Shkodër. Vajti çuni i xhaxhait për ta kërkuar dhe vëllai im po ashtu, por u thonin që “nuk kemi këtu Fatjon Bregu” e nuk tregonin”, rrëfeu ajo.

Kështu Lumturia u nda nga Fatjoni pa mundur ta shohë më kurrë. Çdo derë ku trokiste i mbyllej dhe kjo e bënte ta përjetonte aq keq sa sot pas 45 vitesh i janë shteruar dhe lotët. Ajo tregoi se herë pas here djali i dilte në ëndërr dhe ngrihej nga gjumi duke qarë, por këtë dhimbje nuk mundej ta ndante me askënd.

Në vitin 1982 Lumturia u martua me një minoritar, me të cilin u divorcua pas 10 vitesh. Në vitin 1993 u njoh në Elbasan me një shtetas italian, me të cilin u martua dhe u zhvendosën në Palermo për të jetuar. Pas 15 vitesh italiani u nda nga jeta dhe tashmë Lumturia jeton e vetme që prej vitit 2008.

E vetmja gjë që e mban në jetë është kujtimi për djalin e saj të vetëm, Fatjonin. Ajo erdhi enkas nga Italia për ta kërkuar tek rubrika “Ka një mesazh për ty” dhe e priti me shumë gëzim lajmin që stafi i emisionit kishte rënë në gjurmët e djalit. Për herë të parë pas 45 vitesh ajo mundi të shohë fytyrën e t’i dëgjojë zërin Fatjonit nga mesazhi që gazetarët i kishin dërguar në Selanik, aty ku jeton që prej fillimit të viteve ’90.

E humbur në mendime teksa nuk ngopej duke e parë, ajo u shpreh: “Nga fytyra mua më ngjan. I ngjan dhe pak atij, por ka ndryshuar shumë nga tre muajsh në 45 vjeç”. Ajo nuk po u besonte syve dhe nuk mundi të thoshte shumë fjalë.

“Jam e lumtur që e shoh. Më ka munguar, por nuk e kam harruar dhe gjithmonë e kam kërkuar. Unë kërkoj që të më mirëkuptojë. I kërkoj falje që e lashë se nuk kisha mundësi ta mbaja për momentin”, tha Lumturia pak para se të përshëndetej me djalin përballë e t’i jepnin njëri – tjetrit përqafimin e munguar.

Nga ana tjetër Fatjoni ka qenë akoma dhe më fjalëpak, duke u mjaftuar me shprehjen: “I ka jeta këto gjëra…”. E teksa e përqafonte me shumë dashuri, i tha të ëmës: “Do të mirëkuptohemi për çdo gjë, pa merak”.

Lumturia nuk mundi të priste fund më të lumtur sesa ky që e kishte ëndërruar për vite me radhë. Jo vetëm që gjeti djalin e saj të vetëm, por mori prej tij mirëkuptim dhe falje. Derisa u mbyll emisioni, ata nuk ndalonin së pyeturi njëri – tjetrin për të mësuar sa më shumë gjëra. 45 vite mungesë nuk janë pak, por nuk janë dhe shumë, nëse do arrijnë të ruajnë të njëjtin respekt dhe dashuri që shfaqën sot tek “Ka një mesazh për ty”./tvklan.al

Share: