Kompania përmbarimore “AEF Bailiff Service” ka urdhëruar së fundmi vendosjen e masës së sekuestros konservative në llogarinë e “Sun Petroleum Albania Trading”. Kjo e fundit ishte treguesi me shumicë i markës Gulf dhe u largua nga tregu pak javë më parë, duke lënë pas fatura të pashlyera tek tatimet, furnitorët e individët.
Më herët, ishin tatimet ato që në 19 prill kërkuan vendosjen e masës së sigurimit të detyrimit tatimor për kompaninë e tregtimit me pakicë Sun Petroleum Albania. Tatimet i kërkuan Qendrës Kombëtare të biznesit, të mos lejojë tjetërsimin e mbi pasuritë dhe të drejtat pasurore që i përkasin këtij tatimpaguesi deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore, rezulton që detyrimi i krijuar nga kompania, përfshirë interesa dhe gjoba është 40.7 milionë lekë, ose rreth 300 mijë euro.
Në mes të muajit prill, Sun Petroleum Albania shpk (e cila bën tregtimin me pakicë të naftës) ndërpreu furnizimin me naftë, ndërkohë që deri në ditën që ndërpreu aktivitetin kishte shitur tek klientët qindra tollona, në një skemë që rezultoi mini piramidë, teksa nafta ka mbaruar dhe tollonat kanë mbetur në duart e konsumatorëve.
Të dy kompanitë e lidhura me të Sun Petroleum Albania (e pakicës) dhe Sun Petroleum Albania Trading (e shumicës) janë offshore dhe si të tilla është e pamundur të identifikohen aksionerët. Aksioner zyrtar është Universal Energy Group, me seli në Delaware të SHBA-ve, një zonë e njohur për krijimin e kompanive guackë.
Prokuroria ka nisur hetimet, pas denoncimeve të shumta, por deri tani nuk ka një shifër zyrtare se sa është dëmi që u është shkaktuar konsumatorëve që blenë tollonat, sa është detyrimi që Gulf ka ndaj furnitorëve të tjerë privatë dhe si do të bëhet shlyerja e këtyre detyrimeve
Monitor