Mbledhja e Komisionit parlamentar të Ligjeve është shoqëruar me debate. Të djathtët, nëpërmjet Alibeaj kanë kërkuar një raport me shkrim që me sa duket ka munguar në komision.
Ndërsa ka marrë fjalën deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj ka hedhur akuza në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa theksoi që sot 7 ditë para vendimit për negociatat, shteti shqiptar është pa një këmbë, që është sistemi i drejtësisë. Ai përmendi bllokimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq kreu i Ligjeve Ulsi Manja i kërkoi disa herë të fliste për procedurë dhe jo jashtë teme duke i tërhequr vëmendjen. Sipas Manjës, deputetët e PD e kanë mendjen tek ndeshja e orës 2 dhe duan të shtyjnë kohën.
Enkelejd Alibeaj: Unë besoj se është i rëndësishëm që një përfaqësuesi i qeverisë përballet me parlamentin, me deputetët, me përfaqësuesit e popullit, sigurisht jo si pelegrinazhi juaj. Jemi jo më larg se një javë nga ai momenti historik ku Europa do të japë notën e vlerësimit për shqiptarët, për çeljen e negociatave. Dhe kjo notë besimi ka të bëjë me luftën e kriminalitetit.
Sa e kanë luftuar institucionet dhe sa është vullneti i qeverisë për ta luftuar në mënyrë serioze kriminalitetin. Nga ju kryetar dhe as nga sekretaria nuk ka një raport të shkruar, të përgatitur nga institucioni që ka ardhur për të raportuar. E kuptoj këtë frikë për të raportuar dhe lënë me shkrim gjëra nga inst më të larta. Sepse nga funksionari që ka ardhur sot, është bërë e ditur se për çdo gjë mund të flas por jo për Tahirin, Fatmir Xhafajn, Agron Xhafajn, Nezar Seitin. Por për çfarë ka ardhur për të folur për koleksionin pranverë-verë të Miu-Miut.
Unë e paragjykoj për faktin se asnjëri prej jush nuk duhet të pranojë faktin që ka ardhur pa një dokument të shkruar. Pavarësisht faktit, ka shumë gjëra për të folur. Mbi këtë ministri dhe titullarin e saj qëndron një faturë shumë e rëndë, qoftë për negociatat, qoftë për reformës në drejtësi, luftën ndaj kriminalitetit por edhe për një fakt akoma më të rëndë. Sot Republika jonë që për 7 ditë kërkon t’i çelen negociatat është një republikë që i ka rënë një këmbë e pushtetit, sistemi i drejtësisë. Besoj se kjo do duhet të jetë një nga sensibilitetet më të mëdha të Mistria e Drejtësisë. Sot Republika e Shqipërisë është një Republikë pa Gjykatë Kushtetuese.
Ulsi Manja: E more fjalën për procedurë. Do flasë ministrja e Drejtësisë. Në të kundërt e mbyllim mbledhjen.
Enkelejd Alibeaj: Duhet t’i themi gjërat, nuk duhet të kemi frikë nga fjala. Nuk zgjidhen problemet duke ia mbathur. Ki durim mos ia mbath dhe më dëgjo.
Ulsi Manja: Nuk jam nga ata burra që ia mbath. Propozim konkret për procedurë. Nuk kam kohë të rri gjithë ditën këtu. E kam thirrur ministren e Drejtësisë për të folur për 2017.
Enkelejd Alibeaj: Gjykatë e Lartë e kapur. Prokuroria drejtohet nga një njeri i emëruar në kundërshtim me ligjin dhe pa vetting. Çfarë do t’i tregoni shqiptarëve për luftën ndaj kriminalitetit? Për çfarë drejtësie do flasim. Historia e kapjes së drejtësisë, e rrëmbimit të drejtësisë ka sjellë sot frytet e hidhura për gjithë shqiptarët, ata që aspirojnë për çeljem e negociatave dhe e duan. Ku e ke Saimir Tahirin? Ku e ke Fatmir Xhafajn, pretendon të luftojë kriminalitetin ndërkohë që vëllain e vet e degdisi.
Ulsi Manja: Ke propozim konkret për procedurë. Rregullorja e ka 2 minuta për procedurë. Është 2 minuta për procedurë. Lexon rregulloren e Saliut ti. Ti do të flasësh deri kur të vijë ndeshja e orës 2. Të shtyni kohën në komision, të dilni që këtu në orën 2. Për ju Shqipëria kampionat botëror është, sport. Ka një orë që e ka marrë fjalën. Përmbylle.
Enkelejd Alibeaj: Do flasin të gjithë deputetët.
Ulsi Manja: Flisni tek selia e PD.
Enkelejd Alibeaj: Si ka mundësi që Agron Xhafaj të barisë i lirë në Vlorë, në Tiranë, madje dhe para ministrisë së Drejtësisë, i dënuar në Itali? Ju mund ta keni marrë si Spaçi këtë historinë me këtë pelegrinazhin tuaj.
Ulsi Manja: Çkeni me pelegrinazhin tonë, dilni dhe ju. Mblidhuni dhe ju, mos rrini në Tiranë.
Enkelejd Alibeaj: Se me kë mblidheni ju është e qartë. Ndeshja e vetme për të cilën interesohet sot dhe duan rezultatin është pikërisht kjo. Që rezultati të jetë pozitiv kërkohet seriozitet.
Ulsi Manja: Ndeshja fitohet me punë dhe jo llafe./Opinion.al