Home KRYESORE Taulant Balla, priti në një takim homologun e tij të Partisë Popullore...

Taulant Balla, priti në një takim homologun e tij të Partisë Popullore austriake, z. Reinhold Lopatka dhe nënkryetarin e kësaj partie, z. Michael Hammer

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, priti në një takim homologun e tij të Partisë Popullore austriake, z. Reinhold Lopatka dhe nënkryetarin e kësaj partie, z. Michael Hammer. Kryetari i Grupit Balla u shoqërua në këtë takim nga nënkryetarja e Kuvendit znj. Vasilika Hysi dhe deputeti Fate Velaj.

Gjatë takimit zoti Balla e falenderoi delegacionin e Parlamentit austriak për mbështetjen e fortë që Austria i ka dhënë Shqipërisë, e konkretizuar më së miri në prezencën ekonomike dhe financiare austriake në Shqipëri, gjithashtu edhe në votën e pakushtëzuar Pro të Austrisë për hapjen e negociatave për anëtarësim mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.

“Dua t’ju informoj se procesi i Vetting-ut në sistemin e drejtësisë po jep rezultate konkrete duke përjashtuar nga sistemi dhe vendosur në ndjekje penale gjyqtarë dhe prokurorë të niveleve të larta, për pasuri të vendosura në mënyrë të paligjshme e të krijuara për shkak të korrupsionit 27- vjeçar në drejtësi. Pikërisht suksesi i Vetting-ut dhe lufta pa kompromis kundër krimit e korrupsionit, Reforma në administratën publike, roli i Shqipërisë në rajon dhe politika jonë e jashtme në harmoni të plotë me BE, etj., janë kriteret e përmbushura mbi të cilat u bazua rekomandimi Po hapjes së negociatave nga Komisioni Europian për Shqipërinë”, u shpreh zoti Balla.

“Austria ka mbështetur fuqimisht hartimin dhe implementimin e Reformës në Drejtësi edhe me prezencën e vyer të ekspertëve austriakë. Ju jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj në rrugën e integrimit europian”, theksoi gjatë takimit nënkryetarja e Kuvendit zonja Hysi.

Zoti Lopatka vlerësoi hapat e hedhur deri më tani në drejtim të implementimit të Reformës në Drejtësi. Ai përgëzoi Qeverinë shqiptare në masat e ndërmarra në luftën kundër krimit, duke nënvizuar edhe rolin e Shqipërisë në masat e marra për bllokimin e korridorit të lëvizjes së emigrantëve të paligjshëm nga Greqia në drejtim të vendeve të Europës Qendrore. “10 vite më parë ne gazetat austriake flitej shumë për krimin shqiptaro-kosovar, ndërsa tani ky shqetësim është më pak i pranishëm”, u shpreh zoti Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Austriake z. Reinhold Lopatka.

“Lidhur me rastin e denoncuar nga opozita, lidhur me një përgjim të pretenduar të vëllait të Ministrit të Brendshëm, kjo çështje po hetohet nga Prokuroria dhe të gjithë të presin përfundimin e hetimeve. Në rast se do të kemi të bëjmë më një inskenim kjo përbën një përgjegjësi të rëndë të partisë që mori përgjegjësinë e autorësisë”, – informoi miqtë austriakë kryetari i grupit socialist Balla.

“Për këto lloj çështjesh duhet të flasë drejtësia dhe jo politika. Të gjithë të presim me besim hetimin”-, u shpreh zoti Lopatka.

Share: