Home KRYESORE Vajza 20-vjeçare që u vra në Itali ishte e martuar. Flet bashkëshorti:

Vajza 20-vjeçare që u vra në Itali ishte e martuar. Flet bashkëshorti:

U rrah barbarisht dhe më pas u hodh nga një makinë në ecje në rrugët e Torinos.

Anxhela Meçani, vajza 20-vjeçare me origjinë nga Shqipëria vdiq në spital, ku shkoi në gjendje kritike për jetën.

Ishte një shofer që e gjeti vajzën në rrugë dhe për rastin po heton policia e Piemontes.

E reja kishte jetuar për disa vite në Ravenna, megjithatë ajo rezultonte banore atje që prej Majit, pas martesës me një italian.

Pikërisht në Ravenna, në një apartament në rrugën Cairoli jeton ende Massimiliano, bashkëshorti i saj me origjinë nga Lecce, me të cilin po ndahej.

“Nuk dija asgjë. Unë dhe Anxhela ishim ndarë prej disa muajsh. Ajo kishte ikur nga shtëpia, kishte marrë këtë vendim dhe unë e kisha respektuar”.

Meçani, përpara se të transferohej në Piemonte duket se kishte jetuar disa vjet në Ravenna.

Me Massimilianon, shumë më i madh në moshë se ajo, ishte njohur në një lokal, në vitin 2015.

Nga një flirt i thjeshtë, marrëdhënia e tyre ishte bërë e rregullt. U kurorëzua me një martesë Shkurtin e shkuar, por që mori fund në pak javë. Në Maj ajo kishte ikur. Bashkëshorti rendit disa arsye për fundin e kësaj martese, sherre për shkaqe sentimentali, por edhe për faktin se ai lëvizte kudo që gjente punë, ndërsa ajo nuk e pranonte diçka të tillë.

“Erdha këtu për punë, hapa një kompani të re, por nuk shkoi mirë. Tani punoj si kuzhinier sezonal”, tregon burri për mediat italiane.

Pasditen e së hënës, Massimiliano telefonoi partnerin e ri të 20-vjeçares, pa ditur asgjë se çfarë kishte ndodhur. “Më tha vetëm që nuk mund të fliste, që ishte në polici dhe se e kishin vrarë”.

“Fillimisht mendova një aksident. Ishte prostitutë? Jo për sa kisha unë dijeni. Kur rrinte me mua në Ravenna, nuk kam kuptuar kurrë asgjë. Pas kësaj nuk di se çfarë mund të ketë bërë”, thotë Massimiliano, ndërsa më pas shton:

“Ishte një vajzë gjithnjë e qeshur. Nuk e meritonte këtë fund, ishte kaq e re…”

Ndërsa duke iu referuar vrasjes së mundshme, ai thotë se kushdo që ka bërë diçka të tillë është një fundërrinë.

“Mund të zihesh, por nuk mund të arrish të vrasësh dikë në atë mënyrë. Vetëm mendimi për t’i bërë keq dikujt është prej injoranti dhe barbari. Për fat të keq kjo shoqëri po shkon drejt kësaj rruge…”

Anxhela kishte mbushur 20 vjeç në Mars. Ajo kishte me vete vetëm një celular dhe një fotokopje të dokumentit të identifikimit. Në polici ekziston vetëm një fotografi e saj, pjesë e dokumenteve për kërkesën e bërë për lejen e qëndrimit.

Ndërkohë në Torino policia ka marrë në pyetje disa persona të lidhur me viktimën, në përpjekje për të krijuar një identikit të autorit të mundshëm të vrasjes së saj.

Share: