Home KRYESORE PD publikon skemën mafioze të pastrimit të parave përmes shembjes së Teatrit...

PD publikon skemën mafioze të pastrimit të parave përmes shembjes së Teatrit Kombëtar

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, të shtunën, është shprehur se Edi Rama përdor kompaninë ‘Fusha shpk’ si një kompani guackë për të pastruar paratë e pista të drogës dhe korrupsionit tek 6 kullat, tre prej të cilave janë parashikuar të ndërtohen në territorin e Teatrit Kombëtar.

Vokshi deklaroi nga selia blu se votimi antikushtetues i Parlamentit për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të grabitur tokën publike është një akt mafioz, nëpërmjet të cilit Edi Rama dhe kompania Fusha do të ndërtojnë 6 kulla në Qendrën Historike të Tiranës.

Ajo tha se pastrimi i parave të pista të drogës dhe korrupsionit është arsyeja kryesore për nxitimin e Edi Ramës për t’a miratuar brenda 5 ditëve me procedurë të përshpejtuar dhe në shkelje të rregullores të ligjeve në fuqi dhe të Kushtetutës, një ligj të personalizuar me emrin e Kompanisë Fusha.

Sipas saj, duke përdorur ‘Fusha shpk’ si kompani guackë për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit, fitimi minimal për Edi Ramën nga ky akt mafioz, i paprecedentë në historinë e Parlamentit shqiptar është jo më pak se 205 mln euro.

Duke shtuar se pazaret e pista të Ramës me kompaninë Fusha nuk filluan sot dhe me këtë projektligj, pasi historiku i tyre është i pasur dhe asnjëherë i hetuar nga organet e drejtësisë.

Ishte kompania ‘Fusha shpk’ që Edi Rama ngarkoi për të kryer në të zezë punimet për të shndërruar godinën e Kryeministrisë në një mjedis luksi. Janë rreth 5 milion euro që Fusha shpenzoi në favor të Edi Ramës tek Kryeministria pa asnjë faturë dhe me para që askush nuk ia di burimin, ndërkohë që bizneseve të tjera u tregohet burgu dhe gjoba për mungesën e faturave”,- deklaroi Vokshi.

Share: