Home KRYESORE “Policia fshehu djegien e makinës së dhëndrit të Sejdinit”… Ja reagimi i...

“Policia fshehu djegien e makinës së dhëndrit të Sejdinit”… Ja reagimi i Policisë

Deputetët e Partisë Demokratike, Ervin Salianji dhe Luciano Boçi akuzuan sot Policinë e Elbasanit se kishte fshehur ngjarjen ku persona të panjohur kishin djegur makinën e dhëndrit të kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini.

Salianji dhe Boçi thanë se: “Policia po shërben për të mbrojtur e mbuluar ngjarjen e tmerrshme kriminale si edhe për të fshehur provat e krimit apo për të mos bërë publike ngjarjen”.

Më tej PD në denoncimin e saj deklaroi se bandat kërcënojnë dhe i djegin makinën dhëndrit të kryetarit të bashkisë dhe policia nuk bën asnjë lajmërim por vepron duke e fshehur ngjarjen.

Menjëherë pas këtij denoncimi nga ana e Partisë Demokratike, ka reaguar edhe Ministria e Brendshme e cila shkruan se nuk është koha kur qytetarit i fshihet gjithçka

Po ashtu në njoftimin për shtyp janë bashkëngjitur dhe dy njoftime ku është treguar kjo ngjarje.

NJOFTIMI I PLOTË I MINISTRISË

MB reagim për akuzat e PD-së, bërë sot në Elbasan

Policia e Shtetit është sot institucioni më i besuar nga qytetarët. E tregojnë këtë sondazhet e kryera muajt e fundit. Shqipëria është sot një vend më i sigurt. Në 7 muajt e parë të 2018 është regjistruar numri më i ulët i vrasjeve, krahasuar edhe me 2017 që ishte minimumi historik në 3 dekadat e fundit. Është numri më i ulët i vjedhjeve me armë e me pasoja, numri më i ulët i aksidenteve. Ndërkohë zbulueshmëria e ngjarjeve kriminale është shumë më e lartë se çdo vit i mëparshëm. Vendi ka dalë nga harta e kultivimit të kanabisit pas disa dekadash. Është rritur besimi i qytetarëve tek Policia e Shtetit dhe këtë e dëshmon edhe rritja e telefonatave drejt numrit unik të emergjencave 112. Qytetarët besojnë sepse nga ana tjetër e telefonit dikush përgjigjet dhe reagon.

Policia e Shtetit ka ende shumë për të bërë, për të ndërtuar një ambient më të qetë e të sigurt, në bashkëpunim me qytetarët dhe në partneritet të plotë me agjencitë ndërkombëtare në luftën kundër krimit dhe paligjshmërisë.

Por akuzat e fundit nga deputetët opozitarë, bërë sot nga qyteti i Elbasanit, janë thjesht një tjetër përpjekje e dëshpëruar dhe e dështuar, për të hedhur baltë mbi punën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit në luftë të pandërprerë me krimin dhe paligjshmërinë. Akuzat e përsëritura dhe përbaltja kanë vetëm një qëllim, të rrisin artificialisht tensionin, të prishin imazhin e vendit në kulmin e sezonit turistik duke pretenduar cenimin e parametrave të sigurisë.

Ndaj ndjehemi të keqardhur për këto sulme të vazhdueshme ndaj Policisë së Shtetit, duke u përpjekur pa ia dalë mbanë, të manipulojnë me faktet që janë publike, online dhe i sheh kushdo.

Sot nuk është më koha kur qytetarit i fshihej gjithçka. Prej 4 vitesh, në kuadër të transparencës, çdokush gjen në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit gjithë ngjarjet e ndodhura.

Në respekt të publikut dhe aspak të akuzuesve profesionistë, sqarojmë se nuk është fshehur asnjë ngjarje. Ato janë bërë publike dhe janë referuar në prokuroritë kompetente.

Ngjarjet e pretenduar si të fshehura janë të pasqyruara në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, përkatësisht në datat 23 mars 2018: (Më datë 23.03.2018 rreth orës 03:00 në lagjen “Dyli Haxhire” në një pikë servisi është djegur pjesërisht mjeti tip “Benz” në pronësi të një firme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 151 i Kodit Penal).

https://ëëë.asp.gov.al/…/13424-informacion-mbi-ngjarjet-arr…

Njoftimi i dytë i publikuar në faqen zyrtare në 31 korrik 2018 sqaron rrethanat e ngjarjes së ndodhur një ditë më parë, ku bëhet fjalë për një telefonatë që pretendon vjedhjen e mjetit me armë, por nuk ka patur asnjë të shtënë në Elbasan: (Më datë 30.07.2018, shtetasi D.Sh., ka telefonuar policinë dhe ka kallëzuar se në aksin rrugor “Tiranë – Dajt”, dy persona të paidentifikuar nën kërcënimin e armës i kanë marrë mjetin. Në lidhje me këtë njoftim është ngritur grup hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe vërtetësinë e informacionit, si dhe janë njoftuar DVP Elbasan, Durrës, Lezhë)

Share: