Home KRYESORE Presidenti Ilir Meta nuk dekreton prishjen e Teatrit Kombëtar, ja arsyet që...

Presidenti Ilir Meta nuk dekreton prishjen e Teatrit Kombëtar, ja arsyet që parashtroi

Presidenti Ilir Meta ka kthyer mbrapsht ligjin për “Prishjen e Teatrit Kombëtar” , duke mos dekretuar në këtë mënyrë ligjin e sjellë nga qeveria Rama.

Deklarata e Plotë e Presidentit Meta

Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në funksion të transparencës dhe informimit të opinionit publik, Presidenti i Republikës bën me dije se sot më datë 27 korrik 2018, ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, mbështetur në argumentet e më poshtme:

Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.

Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.

Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.

Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.

Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë.

Së fundmi, në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Share: