Home KRYESORE Rama për “Tanjug”: Besoj në një zgjidhje të shpejtë mes Serbisë dhe...

Rama për “Tanjug”: Besoj në një zgjidhje të shpejtë mes Serbisë dhe Kosovës

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Bruksel për samitin e NATO-s dha një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” ku ka shprehur pikëpamjet e tij në lidhje me ecurinë e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës.

“Unë mendoj se çdo gjë është në dorë të dy presidentëve dhe të dy palëve, sigurisht që Shqipëria është shumë e interesuar për të gjetur një zgjidhje dhe natyrisht që Shqipëria nuk flet kurrë në emër të Kosovës, por për Kosovën dhe sërish unë e di që këndvështrimi ynë nuk është se është i kënaqshëm, kur dëgjohet nga Beogradi, por opinioni ynë mbetet opinioni ynë me njohje të plotë dhe një zgjidhje përfundimtare do të ishte më e mira për fëmijët në Serbi, në Kosovë dhe në Ballkan”, thotë Rama.

“Unë shpresoj shumë se do të përfundojë së shpejti, unë i vlerësoj shumë përpjekjet e presidentit serb, Vuçiç, përpjekjet e vështira për të vazhduar në këtë proces dhe për të arritur një zgjidhje dhe ndërkohë që të gjithë janë në dijeni se ne kemi pranuar për mos të rënë dakord për të, sepse sipas këndvështrimit tim njohja e plotë mbetet e vetmja alternativë për të zgjidhur këtë çështje që ka zgjatur për një kohë të gjatë dhe e vetmja mënyrë për të lënë pas vështirësitë e të kaluarës së përgjakshme dhe konfliktuale”, deklaroi kryeministri në këtë intervistë.

“Nga këndvështrimi juaj në Beograd, Prishtina bën një hap para dhe dy hapa mbrapa. Edhe nga këndvështrimi i njerëzve në Prishtinë, Serbia bën një hap para dhe dy hapa mbrapa, gjë që tregon se dialogu nuk është i lehtë sepse është një dialog i vërtetë dhe shumë i vështirë”, theksoi ai.

“Kështu që, unë mendoj se të gjitha këto që po ndodhin janë pjesë e rrugës ku asgjë nuk do të jetë e lehtë, por sërish shpreh besimin se atje ku ka vullnet do të ketë një zgjidhje dhe në të njëjtën kohë përsëris se, unë e di që nuk është e lehtë për mikun tim, presidentin e Serbisë por njëkohësisht unë e respektoj për përpjekjet e tij dhe gjithashtu e respektoj për faktin që ai e ka njohur atë përfundimisht, duke qenë se kjo është një çështje që nuk mund të qëndronte në këto kushte dhe se të vazhdohet në mënyrën e vjetër nuk do të çonte askënd në një horizont të ri”, vazhdoi kryeministri.

“Sërish, unë do të doja të inkurajoja të dyja palët, për të vazhduar më tej dhe se ne e mbështesim dialogun dhe jemi në dijeni që nuk është i lehtë dhe shpresoj shumë që serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Kosovë do të kenë një jetë më të mirë më vonë. Si dhe shpresoj shumë të shoh Shqipërinë të respektohet në Serbi ashtu siç serbët respektohen në Kosovë, që nuk është rasti, meqë ra fjala”, përfundoi kryeministri Rama.

l.h/ dita

Share: