Raporti i Antidrogës italiane i dha një tjetër goditje të fortë vendit tonë, duke e cilësuar si prodhuesin dhe eksportuesin më të madh të marijuanës drejt brigjeve italiane. Një ditë më vonë, reagoi Ministria e Brendshme e drejtuar nga Fatmir Xhafaj, i cili u përpoq ta kalonte fajin tek Tahiri, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësitë për sasitë e mëdha të drogës që u kapën në Itali edhe gjatë vitit 2017, kur ministria drejtohej prej tij. Po kështu ai tha se opozita në vend ka spekuluar mbi të dhënat e raportit.
“Në lidhje me deklaratat, spekulimet apo keqinterpretimet e gjetjeve të raportit vjetor të Drejtorisë Qendrore të Shërbimi Antidrogë Italian, Ministria e Brendshme gjen me vend të sqarojë: Shqipëria nuk është më në listën e vendeve që kultivojnë kanabis, e konfirmuar nga raporti i monitorimit ajror të Guardia di Finanza-s italiane, në fundvitin e kaluar. Kjo është një betejë e fituar në vitin 2017 dhe po konsolidohet në vitin në vazhdim kur jemi në zbatim të protokollit operativ për fluturimet ajrore duke monitoruar territorin me policinë italiane dhe asistencen e BE-së.
Siç është pranuar, 2016 ishte një vit problematik për shumë arsye, që janë bërë pjesë e analizës së punës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit dhe nuk rezultoi efikas në parandalimin e kultivimit të kanabisit. Por gjithsesi nuk mund të krahasohet me përmasat shqetësuese të fenomenit përpara 2013, e evidentuar në raportet GdF. Kjo solli një sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike të gatshme për treg, në vitin pasardhës”, thuhet në deklaratë./Opinion.al