Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera Sulmohet në Valbonë grupi i xhirimit të TCH, gazetari: Na sulmuan rojet...

Sulmohet në Valbonë grupi i xhirimit të TCH, gazetari: Na sulmuan rojet e firmës së HEC-it

Gazetari dhe operatorët e TCH që kishin shkuar për një kronikë në Valbonë kanë denoncuar se janë sulmuar gjatë ushtrimit të detyrës.

“Po kryenin filmime dhe mblidhnin materiale mbi ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Valbonë nga firma “Gener 2”, e cila nuk e ka pezulluar aktivitetin edhe pse ka një vendim gjykate për ndërprerjen e tyre”, thotë ky televizion në faqen online.

Sakaq, gazetari Endrit Habilaj në një lidhje telefonike, u shpreh: “Grupi po xhironte pranë lumit, ku evidentuam një masakër mjedisore në këtë zonë, ku lumi është jashtëzakonisht i ndotur për shkak të inerteve që po hidhen këto. Pavarësisht se ka një vendim nga Gjykata e Apelit për pezullimin e punimeve, këtu punimet vazhdojnë intensivisht. Në këtë kohë, 3 persona që ishin të paidentifikuar ka nisur të na shajnë dhe ofendojnë. Më pas, u afruan pranë operatorit duke e sulmuar atë së bashku me personin që mbante dronin, ndërsa i merr edhe telefonin. Ishte një konflikt që ka zgjatur më pas një minutë”.

Gazetari thotë se sulmi ka ardhur nga persona të cilët janë të ngarkuar me “securityn” e firmës që po kryen punimet në Valbonë.

“Aktualisht kemi bërë edhe kallëzimin në Prokurori për një nga personat që është identifikuar si Mohamet Gjongeca, i cili është i afërm me ish-drejtorin e policisë së shtetit Erzen Breçani. Njëherësh, ky person punon edhe në “security” te kompania “Gener 2”, thotë gazetari. Ndërkohë, për këtë rast, ka reaguar policia duke ndaluar shtetasin Muhamed Gjongeci./Opinion.al

Share: