NJU JORK. Në fillim Rudy Giuliani u betua për sinqeritetin e Michael Cohen, ish-avokati i Donald Trump; tani ai e trajton atë publikisht si një “gënjeshtar” dhe spekulon se ai mund të ketë manipuluar me regjistrimet e fshehta të presidentit në rastin e “lepurushes” së Playboy. Giuliani pastaj gjuan me gjithë artilerinë kundër prokurorit të posaçëm të Russiagate, Robert Mueller dhe e akuzon atë për bluff. Megjithatë, ai vë në pikëpyetje se marrëveshja e mundshme midis organizatës zgjedhore të Trump dhe Kremlinit mund të konsiderohet krim, shkruan La Repubblica.it.
Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut në kohën e 11 shtatorit dhe tani i zgjedhur nga Trump si këshilltar ligjor, Giuliani shfaqet gjithnjë e më shumë në orët e fundit. I ftuar nga programe të ndryshme televizive, ai i kthen në shfaqje të vërteta në mbrojtje të presidentit. Dhe ai është gati të thotë gjithçka dhe të kundërshtojë gjithçka, pa patur shumë probleme. Por pse e shohim më shpesh? Arsyeja është e thjeshtë: hetimi i Russiagate vazhdon edhe sot dhe do të hapë seancën e parë kundër Paul Manafort, dhe ish-kreu i organizatës zgjedhore të Trump, ka të ngjarë të përfundojnë në burg për dekada të tëra nëse dënohet, përveçse nëse “falja” presidenciale mbërrin në ekstremis.
Në këtë situatë Trump nisi një kundër-ofensivë. Jo vetëm tweet e tij të mëngjesit kundër një të ashtëquajturës “gjueti shtrigash”, janë duke u bërë më të shpeshta, me sulme kundër prokurorit Mueller edhe në një nivel personal, por presidenti lëshon në sulm edhe aleatët e tij më besnikë: Giuliani, gazetarët e FoxNeës dhe shumë parlamentarë republikanë. Në teori, hetimi duhet të fillojë në shtator me një raport nga Mueller dhe rekomandimet e tij. Por së pari prokurori i posaçëm dëshiron të pyesë vetë Trumpin: një hap delikat për shkak se presidenti mund të binte në kontradiktë ose të zihet ngushtë.
Ekziston edhe ndjenja se ish-avokati i Trump, Cohen, dëshiron të bashkëpunojë në mënyrë aktive me hetimin e Russiagate në këmbim të mëshirës për një sërë krimesh që po i ngarkohen. Ishte vetë Cohen, për shembull, që vuri në qarkullim regjistrimin e thirrjes telefonike të intervistës së tij me Trump, në të cilën ai foli për paratë për të paguar heshtjen e një “lepurushe” të Playboy. Ish-avokati gjithashtu do të jetë i përgatitur për të dëshmuar pavarsisht mohimeve zyrtare, Presidenti ishte në dijeni të një takimi në qershor 2016 në kullën Trump mes bashkëpuntorëve të tij (duke përfshirë edhe djalin e tij Donald Jr, dhëndrin Jared Kushner dhe të njëjtin Manafort) dhe eksponentë rusë, të cilët premtuan dokumente komprometuese për Hillary Clinton./perktheu 360grade.al