DEKLARATË E NËNKRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GENT STRAZIMIRI
Ardian Dvorani, gjyqtari simbol i drejtësisë së kalbur nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar, i konfirmuar në detyrë nga organet e vettingut, është marrë nën mbrojtje publike nga tutori i tij Edi Rama për të kaluar në heshtje faktet që provojnë se ai duhet të ishte shkarkuar nga detyra.
Partia Demokratike pyeti dy ditë më parë, nëse organet e vettingut e kishin verifikuar faktin e kontaktit të papërshtatshëm të Ardian Dvoranit, mikut të Fatmir Xhafajt me vëllanë e tij Agron Xhafaj, i dënuar me burg si anëtar i një organizate kriminale dhe trafikant ndërkombëtar droge.
Duke mos marrë përgjigje mbi këtë fakt, sot Partia Demokratike pyet përsëri dhe drejtpërdrejtë organet e vettingut:
• A ka qenë Ardian Dvorani ndërmjetësi i Agron Xhafajt me anëtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për të vendosur mosekstradimin në Itali të Gramoz Murataj, anëtarit të bandës së Agron Xhafajt, i dënuar bashkërisht me të për trafik ndërkombëtar droge?
• A ka kontaktuar Fatmir dhe Agron Xhafaj me gjyqtarin Ardian Dvorani gjatë asaj periudhe?
Organet e vettingut kanë detyrimin të japin përgjigje mbi këto pyetje dhe të sqarojnë opinionin publik, nëse i kanë verifikuar këto fakte dhe si i kanë verifikuar ato.
Ardian Dvorani u konfirmua në detyrë, duke patur në dosje edhe shërbimin që i bëri Edi Ramës me vendimin e tij lidhur me çështjen e sekuestrimit të pasurive të paligjshme të baronit të drogës Klement Balili.
Ndërsa 26 mijë qytetarë presin në rradhë prej vitesh që çështjet e tyre të shqyrtohen, çështja e pasurive të Balilajve u mor në shqyrtim nga Gjykata e Lartë pa kaluar 1 muaj nga data e saj e regjistrimit, duke favorizuar familjen Balilaj.
Këto dhe fakte të tjera, të bëra publike nga Partia Demokratike për:
- Mosjustifikimin e 100 milionë lekëve pasuri
- Blerjen e 3 shtëpive në konflikt interesi
- Moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mbarimin e mandatit
- Dënimin e shkodranëve në dhjetor ‘90 për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës si prokuror i çështjes
provojnë qartë se për shërbëtorin e Edi Ramës, Ardian Dvorani, organet e vettingut kanë realizuar një proces farsë.
Heshtja e shërbëtorit dhe e tutorit të tij politik, heshtja e organeve të vettingut për këto fakte veçse e rrënon besimin e qytetarëve tek procesi i vetingut, i cili po mban në sistem gjyqtarë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.