Home KRYESORE Fatos Lubonja: Qeveria, krimi dhe bretkosa e zier

Fatos Lubonja: Qeveria, krimi dhe bretkosa e zier

Nga Fatos LUBONJA

Ditën e djeshme, 30 gusht 2018, nëpër media dhe portale dolën tre lajme që në pamje të parë duken pa lidhje me njëri-tjetrin.

LAJMI I PARË:

Revista Monitor na bën të ditur se në vitin 2018 kreditë bankare për ekonominë shqiptare kanë pësuar rënie në krahasim me vitin e kaluar, duke konfirmuar një grafik që ka disa vjet që vazhdon në rënie.

LAJMI I DYTË:

Maxhoranca ka nxituar të fusë në punimet e Kuvendit projektligjin e kthyer nga Presidenti, që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një teatri të ri me gjashtë kulla prapa, paçka se nuk kemi asnjë përgjigje për nëntë pikat mbi argumentet e të cilave Presidenti e ka kthyer këtë projektligj.

LAJMI I TRETË:

Ka ndodhur një sulm kërcënues me armë, i tipit mafioz, ndaj shtëpisë së gazetares investigative Klodiana Lala.

Cili është filli që i lidh këta tre lajme?

Le t’i marrim me radhë.

Lajmi i parë konfirmon edhe një herë përgjigjen e një pyetjeje që ka kohë që është ngritur: Nga burojnë paratë e bumit të ndërtimeve që ka kapluar Tiranën? Me çfarë parash po ngrihen e do të ngrihen grataçielat, që ka aprovuar Rama? Lajmi konfirmon një hipotezë tejet të besueshme, të formuluar tashmë si akuzë nga opozita dhe jo vetëm, se burimi janë paratë e pista të krimit.

Le të kalojmë te lajmi i dytë. Nuk ka pikë dyshimi se gjashtë grataçielat, që parashikohet të ndërtohen në një pjesë të truallit të Teatrit dhe në truallin publik prapa tij, nuk kanë ndonjë logjikë ekonomike pasi Tirana është e rrëmbushur me qendra biznesi që po falimentojnë. Edhe te dy të ashtuquajturat grataçiela që kemi, njëra ka vite që është e pambaruar kurse tjetra funksionon si hotel vetëm në dy-tre kate të saj. Prandaj projekti i ndërtimit të një teatri të ri me kusht ndërtimin e grataçielave prapa tij, ngjitur me hotelin bosh, nuk mund të mos të të çojë tek akuza se edhe këtu kemi një pretekst për pastrim parash të pista.

Fakti që, si në rastin e lejeve të shumta të ndërtimit të dhëna nga bashkia, ashtu edhe në rastin e kësaj superlejeje, kemi përfshirjen tejet aktive të qeverisë, veçanërisht të Kryeministrit Rama, përforcon akuzën e ngritur tashmë se pastrimi i parave bëhet me bekimin e qeverisë, që e ka strategji të vet qeverisjen me krimin, për krimin. Rritja e paprecedent e kultivimit dhe trafikimit të drogës, futja e njerëzve të krimit në Parlament, vendosja e ministrave të Brendshëm të lidhur direkt apo indirekt me krimin është një provë më tepër e kësaj strategjie.

Dhe ja ku vijmë te lajmi i tretë.

Gazetarja Klodiana Lala, së cilës i dërgoj solidaritetin si koleg, është një nga gazetaret më aktive në denoncimin e lidhjeve të politikës me krimin e organizuar. Jo më shumë sesa disa ditë më parë ajo publikoi përgjime që nxjerrin lidhjen e deputetit të PS-së, Çyrbja me bandën e ashtuquajtur të Shullazit. Dhe sikur të mos jetë e vërtetë, pista e parë e hetimit që të vjen ndërmend është se këtu kemi të bëjmë me një kërcënim që vjen nga kjo lidhje. Qëllimi është i qartë. Pushteti i krimit kërcënon që ta lenë të qetë në punët e tij dhe projektet e tij, që na rezultojnë punë e projekte të përbashkëta me qeverinë.

Janë të shumtë ata që, me këtë rast, pyesin se si arritëm deri këtu? Rruga e fuqizimit të krimit deri në kapjen e shtetit ka qenë e gjatë, por të gjithë bien dakord se lidhja e qeverisë me krimin dhe kriminelët ka njohur një hop të paparë gjatë këtyre viteve të Ramës. Disa e shpjegojnë këtë me dobësinë e veçantë që ka Kryeministri për këtë kategori. Personalisht, e ve theksin te degradimi i mëtejshëm i një ekonomie që gjithnjë e më shumë varet te paratë dhe njerëzit e krimit. Por problemi sot nuk është analizimi i shkaqeve, por se sot kemi arritur në gjendjen e bretkosës së zierë, që nuk del dot nga tenxherja. Për ata që nuk e dinë se ç’do të thotë kjo metaforë, po e tregoj: Nëse marrim një tenxhere me ujë të zier dhe hedhim në të një bretkosë të gjallë, ajo hidhet përpjetë nga nxehtësia e del nga tenxherja. Nëse marrim një tenxhere me ujë të ftohtë dhe fusim në të një bretkosë, ajo qëndron aty se është ambienti i saj natyral. Nëse fillojmë ta nxehim gradualisht këtë tenxhere derisa të arrijmë temperatura shumë të larta, bretkosa paralizohet dhe nuk është në gjendje të kërcejë e të dalë nga tenxherja kur ajo vlon, por ngordh.

Lexova se Kryeministri që po punon natë e ditë, duke ndërtuar me keqbërësit, për keqbërësit, që ka futur në Parlament keqbërës, paska cilësuar “barbar” dhe “të patolerueshëm” aktin ndaj Klodiana Lalës dhe ka bërë thirrje për kapjen e keqbërësve. Kësaj i thonë që keqbërësit të të vrasin natën dhe të të qajnë ditën. Privilegj i madh ky, por kur bretkosa nuk del dot më nga tenxherja, mund ta gëzosh edhe këtë privilegj.

Burimi: Gazeta Panorama

Share: