Një fëmijë vetëm 9 vjeç, Jamel Myers deklaroi se është homoseksual dhe se është krenar që është i tillë. Rrëfimin e parë e bëri me nënën verën e kaluar dhe më pas kur nisi shkolla, ua tha dhe shokëve të tij.
Por këta të fundit nuk e pritën aspak mirë dhe pas katër ditësh fyerje, i thanë “më mirë vrit veten”. Vogëlushi nuk duroi dot nga turpi, duke i dhënë fund jetës.
Një histori drithëruese e cila vjen nga Denver, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e treguar nga nëna e fëmijës.
“Kam vdekur brenda meje. Ai ishte i bukuri im. Kam humbur dhuratën më të madhe që kam pasur. Im bir, i kishte thënë vajzës time të madhe se shokët e shkollës i kishin thënë të vriste veten”, thotë Leia Pierce në një intervistë për televizionet amerikane.
Trupi i pajetë i Jamel, u gjet i varur, të enjten e kaluar në shtëpi.
Nëna e tij thotë se shpreson që vdekja e të birit të shtojë vetëdijen lidhur me efektet e dëmshme të bullizmit, në mënyrë që prindër të tjerë të mos përjetojnë vuajtje si e saja.
Drejtoresha e shkollës iu dërgoi nga një letër familjeve të të gjithë nxënësve, duke iu propozuar shërbime konsulence, në mënyrë që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më.
Çfarë është bullizmi– Bullizëm janë sjelljet e përsëritura, të dëmshme e agresive ndërmjet personave që ndryshojnë në nivelin e tyre të forcës dhe mund të jenë si fizike, ashtu
edhe psikologjike. Ato përfshijnë goditjet, rrahjet, ngacmimet verbale, gjestet fyese, përjashtimin ose thjesht presionin për t’iu përshtatur atyre që dëshiron apo thotë bullisti.
/a.y/noa.al