Revista prestigjioze britanike, The Economist, ka dekonspiruar planin e vërtetë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiç, për zgjidhjen e problemit mes dy vendeve të tyre. Sipas saj, plani i vërtetë i tyre mund të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në këmbim të një autonomie për serbët e veriut.
“Fundi i luftërave jugosllave, 20 vjet më parë, ka lënë qindra mijëra njerëz në shtete të cilat ata nuk i konsiderojnë të tyret. E vështirë, thanë paqebërësit: Rishikimi i kufijve vetëm do të çonte në më shumë luftë. Si rezultat, 120.000 serbëve mbeten në Kosovën me shumicë shqiptare; 60.000 shqiptarë jetojnë në Luginën e Preshevës, në Serbi”, shkruan The Economist.
“Udhëheqësit vendës prej kohësh pëlqejnë idenë e një shkëmbimi, por deri së voni Bashkimi Evropian dhe Amerika e kanë hedhur poshtë atë. Kjo ka ndryshuar! Federica Mogherini thuhet se dëshiron një marrëveshje për njohjen e Kosovës nga Serbia para përfundimit të mandatit të saj si përfaqësuese e lartë për punë të jashtme e BE’së, vitin e ardhshëm – dhe një këmbim territoresh mund të jetë një mënyrë për ta arritur këtë”, vazhdon shkrimi i revistës prestigjioze.
“Amerika më nuk e kundërshton idenë, sipas një deklarate të dhënë nga John Bolton, këshilltar për Siguri Kombëtare, më 24 gusht. Ndoshta kjo po ndodh falë entuziazmit trumpian për arritjen e marrëveshjeve, dhe për nacionalizmin”, thuhet më tej në këtë shkrim.
“Zyrtarët serbë dhe kosovarë po ashtu janë të vendosur t’i përshpejtojnë gjërat para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, në majin e ardhshëm, sepse ato mund të sjellin një Komision më populist, anti-zgjerim”, vlerëson The Economist.
“Prej më se 1 muaji, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç po japin deklarata të paqarta për një marrëveshje të mundshme. Këmbimi i paraparë është ai i veriut të Kosovës, të banuar nga serbët, për Luginën e Preshevës në Serbi, por banorët janë të përçarë rreth asaj nëse një gjë e tillë duhet të ndodhë, ose do të ndodhë”, shkruan gazeta e njohur.
“Shumë analistë besojnë se Thaçi dhe Vuçiç në fakt nuk kanë synim ndryshimin e kufijve, por po përgatiten për një marrëveshje në formën e një autonomie për serbët brenda Kosovës, në shkëmbim të njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Ndonëse që të dyja palët do ta urrejnë këtë marrëveshje, të paktën udhëheqësit e tyre do të mund të thonë se e kanë ruajtur territorin e tyre të çmueshëm”, vazhdon shkrimi i The Economist.
“Por, nëse kufijtë këtu ndryshohen, çfarë do të ndodhë me ato të Maqedonisë, pak kilometra përtej, ku një çerek i popullsisë përbëhet nga shqiptarët? Dhe çfarë do të ndodhë me ato të Bosnjës, ku Millorad Dodik, udhëheqës i serbëve të atjeshëm, që dëshiron pavarësinë nga Bosnja, thotë – duke përdorur gjuhë qëllimisht të paqartë – se serbët e rajonit duhet të nënvizojnë çfarë është e tyre, dhe çfarë është e fqinjve të tyre? I pyetur për rrezikun e një konflikti, Shaip Kamberi, kryetari shqiptar i Bujanovcit, në Luginën e Preshevës, thotë: ‘Ne nuk jemi ata që po hapim Kutinë e Pandorës. Ne jemi vetë kutia!”/Opinion.al