Revista e njohur italiane “L’Espresso” në numrin e saj të fundit ka trajtuar aktivitetin e bandave kriminale të ardhura nga Europa Lindore që veprojnë në territorin italian.
Mes tyre me një rol mjaft të fuqishëm e të rrezikshëm konsiderohen grupet kriminale shqiptare që merren me grabitjen e vilave dhe apartamenteve luksoze.
Shkak e artikullit të “L’Espresso”, është bërë grabitja e pak ditëve më parë e apartamentit të prindërve të ministrit të brendshëm, Matteo Salvini.
Gjatë orëve të fundit policia italiane ka arrestuar autorët e kësaj grabitje, shtetas gjeorgjianë të njohur me nofkën “rusët” e pjesë e mafias gjeorgjiane me një biznes milionsh në grabitjen e banesave në gjithë Europën.
Për revistën italiane, në biznesin mjaft fitimprurërës të grabitjeve, pas gjeorgjianëve renditen grupet kriminale shqiptare.
“Biznesi fitimprurës nga grabitjet i gjeorgjianëve ndahet me kumbarët (padrinët) e Tiranës”, shkruan “l’Espresso”.
“Mafia shqiptare për momentin konsiderohet kupola e huaj më e fuqishme dhe më e rrënjosur në Itali.”
Së bashku me trafikimin e drogës, trafikun e qënieve njerëzore, së fundmi ajo merret dhe me grabitje kryesisht në territorin verior e qëndror të Italisë.
Krahu kriminel i punës vjen nga Tirana, Durrësi dhe nga qyteti i vogël i Milotit, ku e kanë bazën bandat më aktive shqiptare që veprojnë në Itali.
“Këto banda nderojnë tri rregulla: respektin, besnikërinë dhe familjen. Kjo është dhe arsyeja sepse kanuni, kodi kanunor shqiptar parashikon vrasjen si hakmarrje ndaj vdekjes së një familjari. Jo rastësisht grabitësit që janë pjesë e organizatave kriniale shqitpare kanë lidhje gjaku mes tyre. Pak kohë më parë në qytetin e Ternit u shaktërrua një bandë grabitësish e përbërë vetëm nga vëllezër e kushërinj”, shkruan “L’Espresso”.
“Ata veprojnë në grupe të vogla, jo të lidhura mes tyre”, ka deklaruar për “l’Espresso” nënkoloneli i Departametit të Antimafias Marcello Manca.
“Jo rrallë, për shkak të të ardhurave të larta, tërheqin vëmëndjen e familjeve të fuqishme që përpiqen t’i fusin nën kontrollin e tyre”, ka shtuar ai.
Fuqia e madhe ekonomike i lejon këto banda grabitësish të përdorin pajisje nga më modernet. Në veri të italisë, policia italiane ka zbuluar se para çdo grabitjeje, ata përdornin instrumente që çarkordonin sistemet e alarmeve anti-grabitje të vendosura në banesa si dhe bllokonin valët e aparatave telefonikë.
Grabitësit shqiptarë nuk përdorin kurrë telefona celularë por transmetues të fuqishëm.
“Kemi një radhë djemsh që duan të vijnë e të grabisin në Itali”, është shprehur para një prokurori një nga shqiptarët e arrestuar.
“Edhe nëse kapen bëjnë vetëm 24 orë burg e pastaj lihen të lirë” ka thënë ai.(Ora News)