Home KRYESORE Ligji për Teatrin/Meta sqaron pozicionin: Të bëjnë Teatër të ri, por jo...

Ligji për Teatrin/Meta sqaron pozicionin: Të bëjnë Teatër të ri, por jo duke prishur të vjetrin

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur edhe njëherë interesimit publik se përse e ktheu ligjin për Teatrin dhe atë të Tatimit mbi të ardhurat.

Në ndalesën e tij të radhës në Shkodër, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij dhe të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, Meta tha se: “Po bëhet gati 1 vit nga momenti i fillimit të detyres sime si president dhe deri më tani numri i ligjeve të kthyera janë vetëm 3. Ai i tarifave gjyqësore, që u reflektua nga kuvendi, pasi ishin të papërballueshme nga qytetarët, së fundmi edhe 2 ligjet ai për teatrin dhe tatimi mbi të ardhurat, që ka të bëjë me lojrat e fatit. Në arsyetimet e bëra bazohemi në kushtetutë dhe në interesin kombëtar, kuvendi ka detyrimin t’i rishqyrtojë, të reflektojë ose jo në varësi.

Presidenti nuk mund të qëndrojë indiferent apo të qëndrojë në heshtje për çeshtje që krijojnë probleme në raport me parimet kushtetuese, objektivat që kemi sa i takon shtetit, shoqërisë, detyrimeve ndërkombëtare etj, apo që mund të krijojnë precedente shqetësuese në të ardhmen, që mund të cënojnë autonominë e pushtetit vendor. Duhet te evitojmë çdo precedent.

Unë besoj se ruajtja e gjithçkaje që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, historike, muzeale, është detyrë e të gjithëve. Për fat të keq në të kaluarën nuk jemi treguar të kujdesshëm ndaj këtyre vlerave, kemi dëmtuar shumë prej tyre. Historia e shtetit tonë nuk është shumë e vjetër dhe kemi nevojë të jemi më të përgjegjshëm për çdo vlerë që kemi nga e kaluara. Sot lexova dokumentat e një historiani shqiptar se gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e Tiranës, edhe pse Mehmet Shehu u kishte kërkuar anglezëve që për lirimin nga nazistët të bombardohej qendra e Tiranës, ata nuk kishin pranuar këtë urdhër për arsye se nuk kishin dashur të dëmtohej ky kompleks godinash, që mbart vlera të rëndësishme për kryeqytetin.

Në këtë drejtim besoj se kur ekziston vullneti mire, mundësia është për të mirëmbajtur teatrin ekzistues dhe për të ndërtuar një të ri, që Tirana si kryeqytet i shtuar në numër, ka nevojë për teatër të ri, qendra të reja të zhvillimit të kulturës etj. Të gjitha mund të ndodhin duke respektuar Kushtetutën dhe legjislacionin qe ka vendi ynë. Pra nuk ka nevojë për ligj të ri, apo precedent që na nxjerr nga shinat e funksionimit të shtetit ligjor”

Share: