Home KRYESORE Një krahasim midis fëmijëve dhe studentëve shqiptare me ata evropianë, etj

Një krahasim midis fëmijëve dhe studentëve shqiptare me ata evropianë, etj

Nga Dr. Enriko Ceko

Siç e kemi vendosur, çdo ditë diskutojmë për një çështje të caktuar, që në një mënyrë apo një tjetër lidhet drejtpërdrejt ose jo me çështjen e teatrit. Sot po flasim për arsimimin dhe reformën në arsim. Unë kam një përvojë rreth 30 vjeçare pune dhe paralelisht afërsisht po kaq vite edhe përvojë pune në mësimdhënie në disa institucione të arsimit të lartë në Shqipëri, duke patur edhe detyra drejtuese në nivelin e lartë manaxherial të këtyre IAL-ve.

Në fakt, në IAL-të në vend po vijnë nga shkollat e mesme në shkollat e larta përherë e më pak të përgatitur dhe më pak të përkushtuar. Duke komunikuar me koleget rezulton se nga viti në vit niveli i gjimnazistëve qe hyjnë në shkollën e lartë në përgjithësi është më i ulët. Kam diskutuar me mësues të shkollave të mesme dhe ata më thonë se nxënësit vijnë të dobët nga shkolla nëntëvjeçare dhe, kur pyet mësuesit e këtyre shkollave thonë se nxënësit vijnë të dobët nga arsimi fillor, dhe kur pyet këta mësues të këtyre shkollave thonë se fëmijë vijnë me mangësi të shumta nga nivelet e arsimit parashkollor, çerdhet dhe kopshtet.

Në fakt ashtu është. Nëse bën një krahasim midis arsimit parashkollor shqiptar dhe atij evropian në lidhje me atë se ç’farë mësojnë fëmijët në çerdhe del se në Evropë fëmijët e vegjël mësojnë që në çerdhe tre gjëra: (1) të duan njëri tjetrin, (2) të njohin veglat dhe mjetet e thjeshta të punës dhe (3) të njohin mjedisin, natyrën dhe vendin ku jetojnë, ndërsa çerdhet shqiptare janë të dizenjuara vetëm për të mbajtur fëmijët gjatë kohës që prindërit janë në punë. Pra, fëmijët tanë shkojnë në çerdhe, lozin pak dhe bëjnë një sy të mirë gjumë dhe pastaj konsumojnë drekën (kur çerdhja është me drekë) dhe pasi ja këpusin edhe një sy të mirë gjumëpasreke, shkon ora 17.00 dhe mami a babi i marrin e i çojnë në shtëpi.

Edhe në institucionet e arsimit të lartë ka shumë diferenca madhore. Në Institucionet e larta në botën e zhvilluar studentët (1) ndërtojnë njohuri, (2) fitojnë kompetenca dhe (3) ndërtojnë aftësi. Njohuritë janë në lidhje me profesionin që kanë zgjedhur sipas studimeve që kryejnë, kompetencat kanë të bëjnë me mundësitë për t’u punësuar, ndërda aftësitë kanë të bëjnë me shprehitë që i lejojnë studentët të jenë të suksesëshëm në tregun e punës dhe në shoqëri. Të tëra këto kanë të bëjnë edhe me aftësitë në të shkruar, të dëgjuar, për të punuar në grup, për të komunikuar, për të prezantuar, për të marrë vendime, për të nxjerrë përfundime, për të bërë analiza, etj. Në Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri procesi i nxënies kufizohet vetëm me disa pyetje që bën pedagogu se në cilën faqe dhe në cilin paragraf e ka thënë këtë apo atë autori i librit (kur ka libra, sepse në përgjithësi në universitetet shqiptare lëndët mësohen me leksione apo me shënime).

Nga ana tjetër, studentët e huaj, për shembull në Japoni studiojnë rreth 10 – 11 orë në ditë, ndërsa studentët shqiptarë në përgjithësi studiojnë shumë më pak. Të studiosh rreth 11 orë në ditë nuk të bën gjeni, por nëse të gjithë studiojnë nga 11 orë në ditë, kur shkojnë në punë kanë se ç’farë të diskutojnë me njëri tjetrin, ndërsa në rastin e Shqipërisë nëse dikush studion më shumë se të tjerët e tallin dhe e nëpërkëmbin e i thonë “budalla” e “idiot”, “që nuk merr vesh nga bota dhe jeta”. Kur ky person që ka studiuar shumë shkon në punë, ai nuk ka se ç’farë të bisedojë me kolegët sepse ata nuk dinë të diskutojnë, nuk dinë të bisedojnë, nuk dinë të dëgjojnë, nuk dinë të punojnë në grup, nuk dinë të arsyetojnë, nuk dinë të marrin vendime, nuk dinë të nxjerrin përfundime, nuk dinë të shkruajnë ide për punën, etj. Sipas një studimi të Bankës Botërore, rreth 60% e të rinjve shqiptarë janë analfabetë funksionalë, që do të thotë se dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, por nuk dinë të analizojnë, nuk dinë të nxjerrin përfundime, nuk dinë të arsyetojnë dhe nuk dinë të marrin vendime. Nga kjo vjen edhe produktiviteti i ulët i punëtorit shqiptar dhe si rezultat edhe rritja ekonomike është në nivele mjaft të ulëta. Ky është rezultati përfundimtar i reformave në arsim në Shqipëri: (1) produktivitet i ulët dhe (2) rritje ekonomike e pamjaftueshme.

Pra, në fakt, në sistemin arsimor shqiptar ka rënë bomba atomike. Ka rënë sistemi dhe ky sistem ka rënë jo vetëm në arsim, por në të tërë jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe sportive në vend. Është një sistem që edhe i vdekur, kërkon të marrë sa më shumë pas vehtes. Koha për reflektim sa më të shpejtë për t’i dhënë fund këtij sistemi dhe këtyre arrogantëve në pushtet dhe mendjemëdhenjve në opozitë, që nuk i kemi më për asnjë gjë të hajrit.

Share: