Një anije greke e mbushur me 875 pasagjerë mes tyre edhe shqiptarë ka marrë flakë në mesnatë, pak pasi ishte nisur nga porti i Pireut. Zjarri nisi fillimisht në garazhdin e automjeteve dhe të bagazheve, ku pati edhe disa shpërthime.
“Elefterios Venizelos” bënte linjën Hania-Pire dhe në bord ishin 875 pasagjerë dhe 141 anëtarë të ekuipazhit. Rreth orës 02:30 kur zjarri ishte nën kontroll, anija ndryshoi drejtim duke u kthyer sërish pas për në portin e Pireut. Gjatë gjithë lundrimit, vatra e zjarrit mbahej nën monitorim. Trageti “Eleftherios Venizelos” udhëtonte me shpejtësi 16 nyje dhe mbërriti në portin e Pireut rreth orës 04:00 të ditës sotme.
Për shkak se zjarri nuk ishte fikur plotësisht, u vlerësua se pasagjerët nuk mund të zbrisnin nga seksioni i pasëm pasi përbënte rrezik. Në këtë mënyrë u gjet një zgjidhje tjetër. Udhëtarët dolën nga një seksion anësor i anijes me ndihmën e një shkalle të posaçme, duke zbritur në një anije tjetër. U deshën rreth 40 minuta që nga anija e përfshirë nga zjarri të dilnin të gjithë pasagjerët.
Prioritet u është dhënë fëmijëve dhe të moshuarve. Pasi mbërriti në portin e Pireut, 875 pasagjerët pritën rreth 1 orë e gjysmë përpara se të zbrisnin. Atyre iu shpërndanë maska për t’u mbrojtur nga tymi. E gjithë situata ndërkohë monitorohej edhe nga ajri përmes helikopterit të ushtrisë. Pasagjerët kanë parë tmerrin me sy, por fatmirësisht gjithcka përfundoi pa viktima./Opinion.al
Shihni pamjet më poshtë: