‘Ministria e Financave duhet t’u thotë shqiptarëve pse biznesi i bixhozit është katërfishuar gjatë qeverisë së Edi Ramës, pse ka lehtësuar nga taksat biznesin e kontrolluar prej vëllait të kryeministrit, pse shtyn prej 3 vjetësh zbatimin e ligjit për mbylljen e lojërave të fatit’.
Deklarata është bërë gjatë ditës së sotme nga deputetja e PD-së, Fatbardha Kadiu.
Deklarata e plotë e deputetes së PD:
Pushteti i Ramës nisi me reklamën e madhe të operacionit “Fundi i Marrëzisë”, me pretendimin se do të mbyllte kazinotë dhe biznesin e bixhozit nëpër të gjitha cepat e pallateve.
Ky operacion përfundoi të ishte vetëm një marrëzi e pafund.
Pikat e basteve janë katërfishuar, sepse qeveria e Edi Ramës ka vendosur të zgjerojë biznesin, me të cilin iu mburr shqiptarëve se do ta mbyllte.
Në 2013 ato ishin 928, sot numri i tyre e kalon 4230 pika bastesh, bixhozi dhe kazinosh. Vetëm në vitin 2017, shqiptarët kane lënë 132 milion euro ne bixhoz.
Kjo është e vërteta që Ministria e Financave, tinëzisht, po kërkon të mbulojë, duke kanalizuar aferën korruptive të lojërave të fatit në një diskutim teknik, pa u thënë shqiptarëve pse e shtyn zbatimin e ligjit prej 3 vjetësh.
E vërteta është se ndryshimet ligjore favorizojnë Lotarinë Kombëtare, kompani e cila do të përfitojë nga lehtësitë në taksim, njësoj siç përfitojnë bizneset e tjera të bixhozi që nga viti 2015.
Ndërkohe që,
biznesin e vogël e falimenton duke e futur në skemën e TVSH,
fatura e ujit është rritur me 40%,
energjia elektrike është rritur me 30% dhe
çdo biznesi i janë shtuar shpenzimet me 23 %,
i vetmi sektor ku qeveria bën lehtësira, që kur ka ardhur në pushtet, është sektori i bixhozit.
Ka një arsye pse bixhozi sot është 4 fishuar: Ky është një biznes që kontrollohet nga familja e kryeministrit Edi Rama dhe krimi i organizuar me të cilin qeveris për të pastruar paratë e pista të drogës dhe korrupsionit qeveritar.
Departamenti i Shtetit e ka futur Shqipërinë në lisën e zezë të vendeve kryesore të Pastrimit të Parave për të dytin vit radhazi, ku një nga fushat kryesore, që Departamenti evidenton, janë lojërat e fatit.
Partia Demokratike është e vendosur të shfuqizojë çdo ligj që ul taksat për biznesin e bixhozit.