Nga radio shtetrore gjermane DW:
Pak pas përpjekjes për puç më 2016, në Turqi arrestuan priftin nga SHBA Andrew Brunson. Mosmarrëveshja për të vazhdon prej kohësh dhe i rëndon marrëdhëniet midis dy vendeve. Tani SHBA thonë ‘mjaft’.
Në konfliktin për ndjekjen penale të një prifti nga SHBA, SHBA vendosën sanksione kundër dy ministrave turq. Masat ndëshkimore prekin ministrin e Drejtësisë Abdulhamit Gül dhe ministrin e Brendshëm Süleyman Soylu.
Zëdhënësja e Presidentit të SHBA, Sarah Sanders tha: “Të dy kanë luajtur rol drejtues në arrestimin me vendim gjykate dhe ndalimin e pastorit Brunson”. Ajo e karakterizoi si “viktimë” Brunsonin, i cili është i ekspozuar ndaj përndjekjes “jo korrekte dhe të pajustifikuar” të autoriteteve turke. Klerikun Andrew Brunson e akuzojnë në Turqi si të dyshuar për terrorizëm dhe spiunazh, atë e pret një dënim i gjatë me burgim.
“Ne nuk shohim ndonjë dëshmi, që prifti Brunson të ketë bërë ndonjë veprim të gabuar”, vazhdoi më tej zëdhënësja. Për shkak të sanksioneve, pasuritë e ministrave në SHBA bllokohen, veç kësaj qytetarë amerikanë e kanë të ndaluar të bëjnë biznese me ta.
Turqia nuk tërhiqet
Qeveria e SHBA pati kërcënuar hapur javën e kaluar me vendosjen e masave ndëshkimore: zëvendëspresidenti Mike Pence tha në adresë të Presidenttit turk Recep Tayyip Erdogan: “Lëreni të lirë priftin Andrew Brunson-ose përgatituni që të përballoni pasojat”.
Erdogani theksoi sërish të mërkurën se vendi i tij nuk do t’i pranojë kërcënime të tilla. Ai i akuzoi SHBA për një “mentalitet evangjelikan, sionist”.
Drejtësia turke e akuzon priftin protestant për spiunazh si dhe për mbështetje të Partisë së ndaluar Punëtore Kurde (PKK) dhe të lëvizjes Gülen. Javën e kaluar një gjykatë vendosi papritur që Brunsoni të lirohej nga burgu për arsye shëndetësore, por urdhëroi që ai të mbahet në arrest shtëpie. Akuzat nuk u tërhoqën. Prokuroria kërkon deri 35 vjet heqje lirie për priftin nga SHBA.