I moshuari, Kujtim Zykaj do të përcjellë sot në banesën e fundit, të gjithë familjen e të vëllait. Ata u shuajtën nga dora e nipit të tij, Ridvan Zykaj 24 vjec i cili qëlloi për vdekje 8 persona, mes tyre dy fëmijë.
Gjyshi i autorit rrëfen tmerrin kur gjeti trupat e pajetë të njerëzve të familjes. Ai tha se gjithçka ka nisur pas një debati banal në festën e fshatit.
Në derën e shtëpisë, gjyshi mes ngashërimash tregon se ai vetë, vëllai Demiri, dy nuset dhe nipat si dhe familja e Ridvanit ishin në një drekë familjare kur një nga nuset e ka akuzuar 24-vjeçarin se i kishte vjedhur kaposhët e detit.
“Këtu vija pasdite, vija në mëngjes. Nuk kishte konflikte. Më është vrarë vëllai me djemtë, mbesa e nusja. Nuk kishin konflikte”, thotë i moshuari.
I pyetur se përse e ka bërë këtë, plaku i familjes Zykaj thotë: “Ja për të më bërë gropën mua”.
“Në drekë një nga nuset i tha që më ke marrë kaponjt e detit. Hëngrëm dhe drekën dhe u çua. I thashë ku do vesh, më tha do çoj dhentë në stan. Prindërit i shkuan nga pas. Erdha dhe unë, nuk gjeta njeri në shtëpi.
Erdha tek byrazeri e gjeta përmbys. E rregullova, gjeta dhe gruan i ujdisa. Pastaj gjeta nuset. (Ngashërehet) Të tërë i gjeta përjashta. Pastaj shkoj tek nipolli i vogël. Ajo ishte kujë e zezë”, tregon gjyshi i autorit, duke iu referuar skenës së rëndë, të vrasjes së dy fëmijëve të mitur./Opinion.al