Home KRYESORE Si u terrorizua me plumba familja e gazetares, brenda ndodheshin dhe dy...

Si u terrorizua me plumba familja e gazetares, brenda ndodheshin dhe dy vajzat e mitura

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse u shënua sot në periferi të Tiranës, në fshatin Domje. Rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija” u sulmua me armë banesa e prindërve të gazetares së kronikës Klodiana Lala.

“News 24” media ku punon Lala, raporton se janë qëlluar 10 plumba që kanë dëmtuar pjesën ballore të shtëpisë në pronësi të babait të Lalës. Plumbat kanë depërtuar edhe në derën kryesore të banesës për të hyrë brenda saj por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.

“Të shtënat me breshëri kanë shokuar familjen që është zgjuar nga gjumi e tronditur. Në banesë kanë qenë 8 persona, ndërsa gazetarja dhe bashkëshorti i saj jo por përveç prindërve e familjarëve të tjerë ishin dhe dy vajzat e saj.

Në dhomën e gjumit kanë depërtuar plumbat në kasën e derës por jo brenda ambientit”, raporton News 24.

Një grup nga policia ka shkuar në banesë, janë marrë në pyetje edhe fqinj e të afërm.

Këta të fundit kanë deklaruar se janë zgjuar rreth orës 3 nga një zhurmë, kanë dalë në ballkon por nuk kanë parë gjë. Në zonë për fat të keq nuk ka as banesa apo objekte me kamera sigurie./Opinion.al

Share: