Home KRYESORE Sistemi me pikë, 326 shoferë rrezikojnë të mbeten pa leje drejtimi

Sistemi me pikë, 326 shoferë rrezikojnë të mbeten pa leje drejtimi

Në vitin 2015 në Shqipëri nisi për herë të parë aplikimi i sistemit të patentës me pikë. Sipas statistikave të Policisë Rrugore dhe Drejtorive të Transportit, nga ajo periudhë e deri më tani, 326 drejtues mjeti kanë humbur totalisht 20 pikët, duke u detyruar të kryejnë sërish provimin e kualifikimit për rimarrjen e lejes së drejtimit.

Ndërkohë po gjatë kësaj periudhe, pikë nga patenta u janë zbritur edhe 38 mijë shoferëve të tjerë, të cilët kanë kryer shkeljet që parashikohen në kodin rrugor. Tejkalimi i shpejtësisë, lëvizja në korsitë e emergjencës, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, largimi nga vendndodhja e aksidentit, janë disa nga shkeljet që u kushtojnë më shumë drejtuesve të mjeteve. Duke parë shkaqet e aksidenteve, ekspertë të Policisë Rrugore mendojnë se duhet të zgjerohet gama e shkeljeve për të cilat drejtuesit e mjeteve duhet të penalizohen me heqje pikësh nga patenta.

Një ndër to është përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, shkelje për të cilën rrugorët i kanë kërkuar parlamentit edhe 10–fishimin e gjobës. Në rast të mos shkeljes së neneve që penalizohen me heqje pikësh për një periudhë prej 2 vitesh, drejtuesve të mjeteve u shtohen 2 pikë si bonus. Ndërkohë çdo drejtues mjeti mund të kontrollojë gjendjen e pikëve të tij në portalin E-Albania./Tch

Share: