Home KRYESORE Video/ Si pushkatoheshin intelektualët nga komunistët në gjyqet që zhvilloheshin në Teatrin...

Video/ Si pushkatoheshin intelektualët nga komunistët në gjyqet që zhvilloheshin në Teatrin Kombëtar

Muajt e parë të pas Luftës sundoheshin nga revanshi i komunistëve për të shtrirë pushtetin në çdo qelizë të jetës në vend. Lajme arrestimesh dëgjoheshin gjithkund në kryeqytet. Në qendër, godina elegante e kinema “Kosovës”, dikur “Savoja”, i kishte mbyllur dyer për publikun artdashës. Data shënonte 1 mars 1945. Pranvera e parë nën regjimin e ri komunist. Atë ditë dyert e kinema “Kosovës” do të rihapeshin sërish. Mbi 1300 vetë do të ishin spektatorë të një tragjedie, e cila do të përfundonte vetëm 44 ditë më vonë me 17 intelektualë të pushkatuar. Në atë kino-teatër, të përshtatur si sallë gjyqi, kryeqytetasit do të ishin dëshmitarë të të parit gjyq politik të regjimit komunist në Shqipëri.

Tre muaj pas çlirimit, Shqipëria nuk kishte themeluar ende një Gjykatë, por Këshilli Nacional Çlirimtar kishte firmosur që më 15 dhjetor 1944 ngritjen e të parit Gjyq Special, i cili nxori në bankën e të akuzuarve 60 nacionalistë, kundërshtarë potencial të komunizmit, të akuzuar si kriminelë lufte, edhe pse Shqipëria ende nuk kishte ligj për krimet e luftës. Procesi gjyqësor do zhvillohej në 31 seanca, nga 1 marsi deri në 13 prill 1945. Në vendet e trupit gjykues ishin ulur 9 drejtues komunistë.

Kryetar i i gjyqit ishte emërua Koçi Xoxe (teneqexhi, me 5 klasë shkollë), ndërsa anëtarët e trupit gjykues ishin: Hysni Kapo, Beqir Balluku, Hajdar Aranitasi, Gaqo Boboshtica, Medar Shtylla; Faik Shehu; Halim Budo dhe Gaqo Floqi. Prokuror i Gjyqit ishte Bedri Spahiu. Më 10 mars 1945, u emëruan si ndihmësgjyqtarë të Gjyqit Special edhe Bilbil Klosi, Gjon Banushi dhe Haki Toska.
Pas 31 seancave me 13 prill 1945 u shpall vendimi i këtij gjyqi. Në këtë foto të Agjencisë telegrafike shqiptare shafqet Koçi Xoxe në momentin teksa lexon vendimin e gjyqit për 60 të akuzuarit. Në fillim lexon 17 dënime me vdekje:

 Aqif Përmeti (politikan, ish-ministër)

Bahri Omari (politikan, ish-ministër)

Beqir Valteri (deputet, antizogist)
Daut Çarçani (prefekt)
Dik Cami (zogist, ushtarak)
Fejzi Alizoti (nënshkrues i Shpalljes së Pavarësisë, disa herë ministër)
Gustav Mirdashi (ish-ushtarak austriak, oficer i lartë i ushtrisë shqiptare)
Hilmi Leka (politikan, ish-ministër)
Ismail Golemi (ushtarak, ballist)
Javer Hurshiti (nëpunës, ish-ministër)
Kolë Tromara (politikan, ish-ministër)
Kostandin Kota (ushtarak, ish-ministër)
Reshit Merlika (deputet, I afërm i Mustafa Merlika Krujës)
Shyqyri Borshni (ushtarak)
Tahsim Bishqemi (ushtarak)
Terenc Toçi (patriot romantik arbëresh, jurist, politikan)
Zef Kadarja (nëpunës karriere, drejtor i Zyrës Sekrete, drejtor i përgjithshëm i Policisë)

Të 17 të dënuarit me vdekje do të shihnin për herë të fundit këtë sallë kinemaje ku regjimi komunist po luante të parën tragjedi të stilit sovjetik për publikun e gjerë. Dy ditë pas këtij vendimi 17 të dënuarit me vdekje do të pushkatoheshin pranë Kodrës së Priftit në Tiranë.
Të dënuarit e tjerë, pjesa dërrmuese me burgime të gjata do të linin jetën qelive të errëta e në vuajtje të shumta…

Ky gjyq shënoi veç të tjerash, stacionin e parë të një serie të gjatë e të pandalur të gjyqeve ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist, që zgjati gati gjysmë shekulli./Kujto.al

Share: