Home Gjeo-Ekonomia 300 milionë euro në 6 muaj, Zvicra dhe Holanda “lëshojnë dorë” me...

300 milionë euro në 6 muaj, Zvicra dhe Holanda “lëshojnë dorë” me Shqipërinë, “zhduken” Greqia dhe Italia

Zvicra dhe Holanda kanë kryesuar fluksin e investimeve të reja të huaja në 6 muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Nga Zvicra, që në fakt është shteti nga regjistrohen investimet për gazsjellësin TAP, ndonëse ai është një konglomerat vendesh, janë regjistruar 194 milionë euro për periudhën janar-qershor 2018, me një dyfishim në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga ky shtet, ose më mirë nga gazsjellësi TAP, kanë ardhur 40% e totalit të investimeve në 6 muajt e parë të vitit.

Investitori i dytë më i madh është Holanda, sipas Monitor, me hidrocentralet mbi lumin e Devollit (ndonëse tashmë Devolli Hydropoëer është 100% në duar të norvegjezëve të Statkraft , investimi llogaritet nga vendi fillestar i origjinës).

Për 6 muajt e parë të vitit holandezët sollën në total 101 milionë euro, ku 87% e kësaj shume ishte në tremujorin e parë, ndërsa në të dytin shënuan rënie të ndjeshme.

Në vend të tretë është Turqia, me 44 milionë euro, nga -8 që ishte kjo shifër për 6 mujorin e parë 2017.

Investimet më të mëdha turke janë në sektorin bankar dhe atë të telekomunikacioneve.

Më pas renditet Austria, me 35 milionë euro, kryesisht në sektorin bankar dhe atë të energjisë (hidrocentraleve).

Franca është e pesta, me 29 milionë euro (rënie 29%) edhe ky i lidhur me gazsjellësin TAP, përmes kompanisë franceze Siepecapag, që po realizon projektet inxhinierike të gazsjellësit.

Italia dhe Greqia, ndonëse janë dy shtete me të cilat kemi pasur historikisht lidhje tregtare, sollën përkatësisht vetëm 16 dhe 13 milionë euro kapital në gjysmën e parë të vitit.

Interesantë janë ishujt Kajman, ku është regjistruar një fluks negativ investimesh prej -30 milionë euro në periudhën janar -qershor 2018 dhe -10 milionë euro në 6 mujorin e parë 2017.

Në total, për 6 mujorin investimet e huaja ishin 494 milionë euro, me një rritje prej 27% me bazë vjetore, por fluksi më I madh I tyre ishte në tre muajt e parë të vitit (282 milionë euro), ndërsa në të dytin ranë në 212 milionë euro.

Efektin kryesor në rënien në 3 mujorin e dy të e dhanë Holanda, Zvicra dhe Franca./360grade.al

Share: